Lajme Shqip Wednesday, 16 November 2011 18:00

Vlorë – Policia e Vlorës arrestoi sot një shtetas hungarez, me banim në këtë qytet, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e vendit të tij me akuzën e pastrimit të parave. Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur për ATSH-në se, Laszlo Vincze, 55 vjeç lindur në Szekszard (Hungari), u arrestua gjatë një operacioni në banesën e tij në lagjen “10 korriku” në këtë qytet, ku ai banonte prej dy vjetësh.

Sipas policisë, Vincze ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia hungareze me urdhër arrestin Nr. 2/24 të datës 26.01.2010 të Gjykatës së Apelit të Szekszar (Hungari) për veprat penale “Pastrim i produkteve të veprës penale”, “Mashtrim” dhe “Evazion fiskal”. Kjo përkon edhe me ardhjen dhe qëndrimin e tij në  Vlorë ku kishte krijuar dhe administronte firmën e vet “ELVIS L&M” sh.p.k , e cila paraprakisht dyshohet se përdorej për pastrim parash.

Nisur nga disa informacione paraprake, Seksioni i Pastrimit të Parave në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Vlorës kishte nisur ndaj tij në 29 shtator të këtij viti, një procedim penal për veprën penale të pastrimit të parave, çka është finalizuar sot me arrestimin e tij. Mësohet se 55 vjeçari nga Hungaria ishte pajisur me leje qëndrimi dhe punësimi, çka kishte krijuar kushtet për legalizimin e aktivitetit të tij të biznesit.

Gjatë kontrollit të banesës së tij të marrë me qera në lagjen periferike “10 korriku”, në qytetin e Vlorës, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 16 vula të kompanive të ndryshme me aktivitet ekonomik në Shqipëri dhe vende të ndryshme, një sërë faturash të ndryshme transaksionesh financiare, dokumenta të ndryshme që dyshohej se i shërbenin për të kryer aktivitet të paligjshëm, një armë gjahu “teke” që e mbante me leje, si dhe një automjet fuoristradë “CHEVROLET”.

Paraprakisht policia dyshon se ai e vazhdonte aktivitetin e tij të paligjshëm në Shqipëri (Vlorë), duke përdorur si koperturë një firmë të liçensuar. Aktualisht policia po heton për zbardhjen e plotë të aktivitetit të 55 vjeçarit, si dhe për mundësinë e tij në përfshirjen e ndonjë rrjeti ndërkombëtar të aktiviteteve të paligjshme. Hetimi do të kryhet nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor të  Vlorës.