Lajme Shqip Friday, 25 March 2011 18:23

Tiranë – Dy inspektorë të Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar në Vlorë janë arrestuar sot nga policia e Vlorës për veprat penale të “falsifikimit të dokumentave” nga personi që ka për detyrë të përpilojë dokumentin, kryer në bashkëpunim dhe “shpërdorimit të detyrës”, kryer në bashkëpunim.

Prokuroria e Përgjithshme, nëpërmjet një njoftimi për shtyp, bëri të ditur se në datën 15 shkurt 2011, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë mbi bazën e materialit kallëzues të bërë nga Inspektoriati Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar Tiranë ka regjistruar procedimin penal nr. 180 të vitit 2011, për veprat penale të “falsifikimit të dokumentave” nga personi që ka për detyrë të përpilojë dokumentin, kryer në bashkëpunim dhe “shpërdorimit të detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 186/3 -25 dhe 248-25 te Kodit Penal, në ngarkim të shtetasve Artur Sadikaj dhe Artur Dervishi, me detyre inspektor pranë degës së INUK Vlorë.

Nga hetimet e kryera dhe provat e mbledhura deri në këtë fazë të hetimeve ka rezultuar se nga ana e Inspektoriatit Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar Tiranë, me urdhërin nr. 112 datë 16.06.2010, është urdhëruar ekzekutimi i vendimeve për prishjen e 23 objekteve të ndërtuara pa leje ndërtimi në zonën e quajtur “Pylli i Sodës” të qytetit të Vlorës. Për ekzekutimin e këtyre urdhërave është ngarkuar Inspektoriati Ndërtimor Kombëtar Vlorë dhe konkretisht inspektorët Artur Dervishi dhe Julian Sadikaj.

Nga ana e dy inspektorëve janë përpiluar procesverbalet e ekzekutimit të vendimeve për prishjen e objekteve te ndërtuara pa leje ndërtimi, por ndërkohe që keto objekte nuk janë prishuar asnjëherë.

Për të vërtetuar këtë fakt, nga ana e prokurorisë është bërë edhe verifikimi në terren i objekteve të deklaruara të prishuara nga ana e dy inspektorëve, prej nga ku ka rezultuar se këto objekte nuk janë prishur asnjëherë nga ana e inspektoriatit ndërtimor.

Nisur nga keto rrethana nga ana e prokurorisë është kërkuar caktimi i masës së sigurimit “arrest në burg”  për të dy inspektorët e policisë ndertimore, si persona te dyshuar per kryerjen e veprave penale të “falsifikimit të dokumentave” nga personi që ka për detyrë të përpilojë dokumentin, kryer në bashkëpunim dhe “shpërdorimit të detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 186/3 -25 dhe 248-25 të Kodit Penal.

Sot, në daten 25 mars është bërë edhe ekzekutimi i arresteve të urdhëruara nga ana e prokurorisë për shtetasit      Artur Dervishi, banues në Berat, dhe Julian Sadikaj, banues në Fier, të dy me detyre inspektor pranë INUK-se Dega Vlorë, si persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale të “falsifikimit të dokumentave” nga personi që ka për detyrë të përpilojë dokumentin, kryer në bashkëpunim dhe “shpërdorimit të detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 186/3 -25 dhe 248-25 të Kodit Penal.