Vlorë – Policia e Vlorës deklaroi sot se “do të shpërblejë me 100 mijë euro ata që japin informacion që ndihmon në zbardhjen e ngjarjes së sotme, ku si pasojë e shpërthimit të një autoveture, mbeti i vrarë gjyqtari Skerdilajd Konomi.
Në një komunikatë për shtyp, Drejtoria e Policisë e Qarkut të Vlorës, i bën apel qytetarëve për të dhënë informacione që mund të ndihmojnë në zbardhjen e autorit ose autorëve të kësaj ngjarjeje.
“Për personin që do të japë informacionin, i cili çon në zbardhjen e ngjarjes, Drejtoria e Policisë e Qarkut Vlorë vë në dispozicion shpërblimin prej 100 mijë euro”, thuhet në deklaratën e uniformave blu të qytetit bregdetar.
Gjithashtu, për dhënien e informacionit, Policia e Vlorës ka vënë në dispozicion numrat e telefonit: 069 41 02 355 dhe 069 41 05 397 ndërkohë që garanton ruajtjen e plotë të anonimatit.
Gjyqtari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Skerdilajd Konomi, mbeti i vrarë sot rreth orës 09.20, pas një shpërthimi të autoveturës së tij, një Benz me targa VL 6383 B, në çastin që po lëvizte në bulevardin Vlorë-Skelë.
Paraprakisht mendohet se ngjarja është shkaktuar përmes shpërthimit në distancë të një sasie eksplozivi të vendosur në autoveturën e Konomit. Policia po heton intensivisht për këtë ngjarje, ndërkohë që ka shoqëruar një numër personash , të cilët po merren në pyetje lidhur me ngjarjen.