Lajme Shqip Monday, 28 March 2011 11:08

Vlorë – Familjarë, të afërm të viktimave të tragjedisë së Otrantos dhe mjaft qytetarë, morën sot pjesë në një ceremoni përkujtimore në nderim të viktimave të tragjedisë së Otrantos në 28 mars të vitit 1997.

Të pranishmit në këtë ceremoni, mes të cilëve dhe deputetët e Vlorës, Ardian Kollozi dhe Kreshnik Çipi, hodhën lule në det, atje ku 14 vjet më parë u nis anija e tragjedisë. Familjarët dhe të afërmit e viktimave kërkuan që drejtësia ta thotë deri në fund fjalën e vet.

Deputeti Ardian Kollozi garantoi mbështetjen për të zbardhur plotësisht këtë ngjarje.

Vetëm pak muaj pas kësaj tragjedie, dhjetra familjarë të viktimave dhe të mbijetuar, në shenjë proteste për zvarritjen e hetimeve, hynë në një grevë urie në qytetin e Brindisit. Ndërkohë, më pas, ata ju drejtuan gjykatës së këtij qyteti ku nisi një proces që do të përfundonte më shumë se një dekadë më pas. Çështja gjyqësore në ngarkim të shtetit italian, si dhe dy protagonistëve, kapitenit të anijes ushtarake italiane “Sibilla”, Fabrizio Laudadio dhe anijes së tragjedisë, Namik Xhaferri, e ka zanafillën në vitin 1997. Përgjatë 8 viteve u zhvillua një proces maratonë me rreth 300 seanca dhe dhjetra dëshmitarë. Në këtë çështje u angazhuan 22 avokatë, mes të cilëve 20 italianë, një gjerman dhe një tjetër shqiptar por me aktivitet dhe studio në Itali.

Në 19 mars të vitit 2005, Gjykata e Brindisit, jep vendimin përfundimtar në shkallë të parë, pas 300 seancash. Përkundër kërkesës së prokurorit për të dënuar me 6 vjet burg kapitenin e anijes italiane “Sibilla”, Fabrizio Laudadio, trupi gjykues e përgjysmoi atë me 3 vjet, ndërkohë që dënoi në mungesë me 4 vjet burg, kapitenin e anijes “Kateri i Radës”, Namik Xhaferri, gjë që përputhej me kërkesën e akuzës. Ata akuzoheshin si shkaktarë të tragjedisë ku humbën jetën 81 persona mes të cilave gra dhe fëmijë.

Pas kësaj çështja u apelua në Tribunalen Penale të Leçes, ku është duke u zhvilluar ende ky proces. Për herë të parë në historinë 14 vjeçare të këtij procesi gjyqësor, në seancën e 4 majit të vitit të kaluar, në Gjykatën Penale të Apelit në Leçe, u përfaqësua edhe shteti shqiptar përmes deputetëve të PD-së, Ardian Kollozi e Kreshnik Çipi, si dhe ai i PDU-së, Dashamir Tahiri. Prania e tyre u vlerësua edhe nga të mbijetuarit dhe familjarët e viktimave, si edhe nga gazetarë vendas. Ndërkohë vendimi përfundimtar i kësaj gjykate pritet të jepet në ditët në javët në vazhdim.

Paralel me këtë çështje gjyqësore, janë në proces dhe dy të tjera. Në Gjykatën e Brindisit po zhvillohet procesi civil për dëmshpërblimin financiar për viktimat.

Ndërkohë, 16 nga të mbijetuarit e kësaj tragjedie i janë drejtuar Gjykatës së Strasburgut. Një nga të mbijetuarit, Krenar Xhavara, thotë se, “në këtë proces po gjykohet njëkohësisht penalizmi i qeverisë italiane si përgjegjëse dhe autore e kësaj tragjedie, si dhe aspekti civil, që lidhet me dëmshpërblimin e atyre që u mbytën”.