Lajme Shqip Thursday, 22 March 2012 20:37

Pas një periudhe tërheqje nga gazetarët, kryenegociatorja Edita Tahiri, është shfaqur para mediave.

Gazetarët kosovarë kanë shfrytëzuar një takim të Tahirit me zëvendëskryeministren e Maqedonisë për Integrim,Teuta Arifi, për t`iu kthyer çështjes se dialogut Prishtinë-Beograd dhe natyrshëm në këtë mes hyn marrëveshja për fusnotën. Ajo sërish ka dhënë një përgjigje të veçantë, duke thënë se ngrohja globale do të ndihmoj në shkrirjen e fusnotës.

“Populli ka kaluar dimra edhe më të mëdhenj gjatë një shekulli të shtypjes e gjenocidit serb, këta janë tash dimra të vegjël dhe ngrohja globale botërore ka me shkri më shpejtë”, ka thënë Tahiri.

Kohët e fundit kryenegociatorja Tahiri ka qenë në qëndër të kritikave jo vetëm nga opozita por edhe nga Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili duke mos përmendur emra ka kërkuar rikonpozim të ekipit dialogues me Beogradin.

Nga ana tjetër zyrtarët qeveritarë kanë thënë se Tahiri në Bruksel ka prezantuar qëndrimet e shtetit të Kosovës dhe vazhdon ta ketë mbështetjen Kryeministrit Hashim Thaçi.