Lajme Shqip Tuesday, 03 April 2012 07:00

Prishtinë-Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së dënuan arrestimin e dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga ana e Policisë së Republikës së Serbisë, ndërkohë që lidhur më këtë ngjarje kërkuan informata të detajuara nga Ministria kosovare e Punëve të Brendshme.

“Veprimet e Serbisë e kanë dëmtuar imazhin e Republikës së Kosovës. Është cenuar territori i vendit dhe uniforma e shtetit tonë, nga ana e Serbisë. Andaj, ftojmë institucionet tona që të ndërmarrin masa të menjëhershme dhe të mos tolerohen më veprime të tilla”, vlerësuan anëtarët e Komisionit.

Me këtë rast, sipas zyrës së shtypit të Kuvendit kosovar, kryetari i komisionit parlamentar për siguri, Ahmet Isufi, vlerësoi se është obligim i institucioneve  që të mbrojnë territorin e vendit, qytetarët dhe vetveten, si dhe mos të lejojnë që të poshtërohen para veprimeve anti-Kosovë, të cilat po i ndërmerr Serbia.

Më tej, Isufi, këtë akt e konsideroi edhe si cenim të prezencës së Bashkësisë Ndërkombëtare në Kosovë, meqë BE-ja ka marrë obligim që të mbrojë kufijtë e Kosovës.

Anëtari  i komisionit, Fatmir Xhelili, po ashtu ka shfaqur kritikat e tij edhe për KFOR-in, duke shtuar se edhe KFOR-i ka përgjegjësinë për sigurinë e vijës kufitare të Kosovës në drejtim të Serbisë.