Lajme Shqip Wednesday, 21 August 2013 23:08

Babai i “Zonjës së Parë” Odeta Nishani, është një nga pronarët trashëgimtarë të një pasurie që përfshin “Bar Restorant Sarajet” dhe 1500 metra truall deri në rrugën para oborrit të Partisë Demokratike.

Trashëgimtarët e ligjshëm të kësaj prone janë familjet Kazazi dhe Kosova, të cilat kanë degëzuar trashëgimtarët e tyre.

Ali Kosova, babai i Odeta Nishanit, është pjesëtar i kësaj trashëgime.

Gazeta TemA ka siguruar dokumentet hipotekore dhe origjinën e pronës, e cila është e ligjshme, si trashëgimi që buron nga një pronë e regjistruar me nr. 878 më 4 nëntor 1943 në pronësi të Mustafa e Hamza Kosovës, të cilët janë djemtë e Osman Kazazit dhe Fehmi Kazazit.

Ali Kosova, babai i Odeta Nishanit, është djali i Mustafa Kosovës, që e ka zotëruar këtë pronë deri në vitin 1947. Ali Kosova e ka fituar pronën përmes një vendimi gjykate të vitit 1999, i cili kundërshton një vendim të mëparshëm të kthimit të pronave që njihte pronarë vetëm familjen Kazazi. Pas këtij vendimi prona është ndarë në dy pjesë mes familjes Kosova dhe Kazazi.

Sipas gjithë regjistrave hipotekare, prona kufizohet nga veriu me rrugën Abdi Toptani (dikur Alqi Kondi), që është rruga që kalon para “Torre Drinit”, nga jugu nga ish –“Kinema Kosova”, nga lindja nga rruga “Hiqmet Dervishi”, që i bie rruga para oborrit të PD, në një gjerësi prej 34 m, nga perëndimi nga rruga “Pashë Toptani”.

Sipas këtij gentpalni, brenda pronës si pasuri kryesore gjendet “Bar Restorant Sarajet” dhe një sipërfaqe trualli rreth 1500 metra, që sipas përshkrimit hipotekar i bie të dalë në pjesën fundore të rrugicës para PD-së, aty ku është “Kafe Jurnal”, së bashku me pjesën sipër “Kafe Jurnal” ku gjendet dhe zyra e ish- kryetarit të PD-së, Sali Berisha.