Lajme Shqip Tuesday, 06 December 2011 20:50

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka filluar sot vizitën zyrtare në Bruksel, ku ka takuar Komisionerin për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Štefan Füle.
 
Në takim është diskutuar për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon, për përkushtimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të përmbushur në plotëni kriteret dhe standardet europiane të integrimit, me theks të vecantë është diskutuar për fillimin e dialogut për liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe për marrëdhëniet kontraktuale të Kosovës me BE-në.
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në takimin që ka zhvilluar sot në Bruksel me Komisionerin për Zgjerim të BE-së, Štefan Füle ka ritheksuar gjithë angazhimin e vazhdueshëm dhe konsekuent të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të gjitha insitucioneve kosovare për përmbushjen e agjendës evropiane të integrimet, duke u fokusuar në implementimin e reformave të gjithmbarshme në politikë, ekonomi dhe legjislacion.

Kryeministri Thaçi në takimin me Komisionerin Füle ka potencuar se institucionet e Republikës së Kosovës kanë plotësuar të gjitha kriteret që kanë të bëjnë me nisjen e dialogut të liberalizimit të vizave dhe me të drejtë presim që ky proces të fillojë në ditët e ardhshme. Në këtë kuadër, kryeministri Thaçi ka mirëpritur qëndrimin e paraqitur nga Këshilli i Ministrave i BE-së që mbështet fillimin e dialogut të liberalizimit të vizave për Kosovën.
 
Nga ana e tij, Komisioneri i BE-së për Zgjerim, Štefan Füle vlerësoi lartë përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmbushjen e agjendës evropiane të integrimit dhe rikonfirmoi se perspektiva e Kosovës është perpektiva evropiane.
 
Z. Füle në mënyrë të veçantë u shpreh me tone pozitive për angazhimin e treguar të institucioneve të Kosovës në dialogun për çështje teknike mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Me këtë vizion, tha z.Fyle, Qeveria e Kosovës ka dëshmuar edhe një herë orientimin dhe vizionin e saj evropian. 

***************************

Prishtinë-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me ftesë të zëvendëspresidentes së Bashkimit Evropian, Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Baroneshës Catherine Ashton, u nis sot për vizitë zyrtare në Bruksel.

Me këtë rast, kryeministri Thaçi do të zhvillojë takime me Presidentin e Bashkimit Evropian, Herman Van Rompuy, me zëvendëspresidenten e BE-së, Baroneshën Catherine Ashton dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të Bashkimit Evropian.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, kryeministri Thaçi do të ketë takime edhe me anëtarë të Parlamentit Evropian.

Sipas burimeve zyrtare nga qeveria kosovare, temë kryesore e takimeve të kryeministrit Thaçi në Bruksel do të jetë përshpejtimi i axhendës evropiane të Kosovës, fillimi i dialogut për liberalizimin e vizave, marrëdhëniet kontraktuale të Kosovës me BE-në dhe mbështetja e Këshillit të Ministrave të BE-së për anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane për Zhvillim. (LajmeShqip)