Lajme Shqip Monday, 10 September 2012 08:00

Tiranë- Këtë vit do të jenë 36 mijë nxënës që do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës dhe 75 mijë fëmijë u drejtohen kopshteve. Sot nis zyrtarisht viti i ri shkollor 2012- 2013 dhe janë 579 mijë nxënës të sistemit parauniversitar dhe fëmijë kopshtesh që i drejtohen bankave.

Ministri i Arsimit dhe shkencës, Myqerem Tafaj ka uruar të gjithë nxënësit dhe mësuesit për fillimin e vitit të ri akademik.

“Urimi i parë si gjithnjë shkon për ju vogëlushë, ju nxënës që uleni për herë të parë në bankat

e shkollës, për ju që përcilleni nga dora e prindit dhe shtrëngoni dorën e mësuesit, për të nisur rrugën e gjatë, por të bukur të dijes, ju keni sot në duar abetaren mbarëkombëtare. Një urim për të gjithë ju nxënësit e klasave të tjera që në këtë ditë e ndjeni veten më të rritur e më të ditur dhe që jeni fort të motivuar për t’u bërë më të aftë për veten familjen dhe shoqërinë. Një urim edhe për ju mësues dhe mësuese që meritoni mirënjohje dhe nderim”, tha ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj.

Në fjalën e tij ministri Tafaj foli edhe për një rritje të numrit të nxënësve që po i drejtohen arsimit profesional. Ai tha se janë 21 mijë nxënës që ndjekin shkollat profesionale në të gjithë vendin.(LajmeShqip.com)