Lajme Shqip Monday, 05 December 2011 15:00

Tiranë – Seanca e sotme gjyqësore ndaj ish -zv/kryeministrit Ilir Meta vijoi me pyetjen e katër dëshmitarëve të tjerë, midis tyre biznesmenë, të cilët dëshmuan mbi procedurat e koncesionit për ndërtimin e Hec-it në lumin Shushicë në Vlorë.

Në dëshminë e tij, administratori i shoqërisë “Merkaj”, Fatmir Merkaj, deklaroi se ish- ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, i kishte kërkuar dhurata lidhur me koncesionin për ndërtimin e Hec-it në lumin Shushicë.

“Në një takim, zoti Prifti më tha shkarazi se këto punë duan peshqeshe”, kujtoi dëshmitari Merkaj, duke shtuar se, nga takimi me ish- ministrin Dritan Prifti kishte mbetur i skandalizuar.

Ndërkohë që dhanë dëshmitë e tyre ekonomisti Agim Rrapaj dhe djali i tij, Edit Rrapaj, përfaqësues të shoqërisë “Bashkimi i Përkohshëm”, që pretendonte koncesionin për Hec-in mbi lumin Shushice, koncesion i anulluar me pas nga ministria e Ekonomisë.

Në dëshmitë e tyre, dëshmitarët pohuan faktin se projekti për ndërtimin e Hec-it ne Shushices po haste zvarritje nga ana e ministrisë,  të cilës i kishin dërguar një memo,  ku i shprehnin shqetësimin e tyre. Sikurse pohoi dëshmitari Agim Rrapaj, për çështjen kishte bërë ankesë edhe tek ish- zv/kryeministri, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta, me të cilin kishte njohje për shkak të funksioneve zyrtare të mëparshme. Sipas dëshmitarit Rrapaj, deri në atë kohë për projektin e Shushicës ishte investuar mbi 700 mijë euro nga shoqëria “Bashkimi i Përkohshëm”, qe ishte një bashkim i disa aksionereve, përfshi disa kompani të huaja.

Përgjithësisht këto dëshmi kundërshtojnë pretendimet e ish- ministrit te Ekonomisë, Dritan Prifti, se ka pasur presion nga ana e zotit Meta për të favorizuar biznese të caktuara.

Ndërsa biznesmeni Rezart Taçi foli mbi aktivitetin e kompanisë “Armo”.

Pas kësaj seance, përfaqësuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, LSI, Spartak Braho, pohoi se dëshmitë e dhëna sot provojnë se Dritan Prifti ka mashtruar. “Dëshmitë tregojnë se Dritan Prifti jo vetëm që ka marrë, por dhe ka kërkuar peshqeshe”, tha Braho.

Ish- zv/kryeministri Ilir Meta është vënë nën akuzën e korrupsionit nga Prokuoria e Përgjithshme pas transmetimit në media të videos, ku ai shfaqej me ish- ministrin Prifti në një bisedë për disa tendera të ministrisë së Ekonomisë.

Kreu i LSI, Meta, ka hedhur poshtë akuzën ndaj tij, ndërsa e ka cilësuar videon si një shantazh për dëmtimin e imazhit të tij. Ndërkohë, një ekspertizë e urdhëruar nga Gjykata e Lartë, e ka nxjerrë këto video si jo origjinale.

Aktualisht, procesi ndaj zotit Meta është fokusuar te pyetja e dëshmitarëve, kryesisht biznesmenë  që  përgjithësisht kanë kundërshtuar pretendimet zotit Prifti.