Lajme Shqip Wednesday, 05 October 2011 14:01

Prishtinë (PLOTËSUAR 17:42) – Burime të portalit kanë konfirmuar se njëra nga të arrestuarit e djeshëm, Xhevahire Vatovci, sapo është liruar nga arresti, për t’u mbrojtur në liri.

****************************

Prishtinë (PLOTËSUAR 17:30) – Ashtu siç ka raportuar dje, ekskluzivisht, Portali LajmeShqip.com, edhe misioni i EULEX-it ka konfirmuar sot, në një njoftim zyrtar, se pas operacionit policor të ditës së djeshme, të zhvilluar nga Njësia e EULEX-it për Hetimin e Krimit të Organizuar, gjykatësi i EULEX-it i procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, vendosi masën e paraburgimit prej një muaji për dy persona dhe një muaj arrest shtëpiak për personin e tretë, të cilët u arrestuan dje.

Pasi u morën në pyetje nga Policia e EULEX-it, dy persona të tjerë u liruan nga ndalimi policor. Ndërsa një person tjetër vazhdon të mbahet në ndalim.

Arrestimi i gjashtë personave dhe bastisjet në 14 lokacione janë pjesë e hetimeve që po vazhdojnë lidhur me dyshimet për korrupsion dhe keqpërdorime në prokurim, ku përfshihet Policia e Kosovës dhe bizneset që e furnizojnë policinë me armë dhe municione.

Dyshohet se prej vitit 2008, buxheti i Policisë së Kosovës është dëmtuar me miliona euro për shkak të veprimtarive të personave të arrestuar.

***************************

Prishtinë (PLOTËSUAR, E enjte, 6 tetor, 14:01) – Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, tha sot se institucionet e Kosovës janë të gatshme të përkrahin gjyqësorin dhe nese ka dyshime të bëhen hetimet.

Ministri Rexhepi, duke komentuar bastisjet e djeshme në Policinë e Kosovës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, tha se ai ka qenë në dijeni për një aksion të tillë dhe se e përkrahë gjyqësorin e vendit. Ai ka sqaruar se bëhët fjalë për nje tender që ka të bëjë furnizimin e policisë me armatim dhe municion. Ministri Rexhepi ka sqaruar se në ate kohë Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka patur kompetenca për importim të armatimit, ndërkaq sot me ligjin e ri ministria e bën listën nacionale të armatimit.

Në takimin i cili mblodhi të gjithë kryetarët e komunave të reja në vend, u fol për zhvillimin e infrtastrukturës për funksonalizimin e stacioneve policore në komunat e reja.

Gjithashtu, u kërkua një bashkëpunim më i ngushtë në mes të komandantëve të stacioneve dhe kryetarëve të komunave. (LajmeShqip.com)

****************************

Prishtinë (PLOTËSUAR 23:41) – Burime të Portalit LajmeShqip.com bëjnë të ditur se të arrestuarve të sotëm, Armend Selimit dhe Astrit Pirës, biznesmenë, iu janë ndarë nga 30 ditë paraburgim, shkaku i rrezikut potencial që këta të ikin jashtë vendit.

Gjithashtu, bëhet e ditur se Kadrush Koliqit gjykata ia ka ndarë nga 30 ditë arrest shtëpiak. Ky është zyrtar policor në Departamentin për Siguri Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

****************************

Prishtinë (PLOTËSUAR: 22:33) – Burime të portalit LajmeShqip.com, kanë bërë të ditur se seanca ndaj të arrestuarve të sotëm nga EULEX-i, për keqpërdorimet në MPB dhe në Policinë e Kosovës, është duke vazhduar edhe në këto momente. Nuk priten zhvillime të tjera rreth rasti.

****************************

Prishtinë (PLOTËSUAR: 18:28) – Burime të portalit bëjnë të ditur se Armend Selimi dhe Astrit Pira janë dy të arrestuarit tjerë, në aksionin e Policisë së EULEX-it.

Seanca ndaj këtyre dy të arrestuarve dhe Ragip Bunjakut është duke vazhduar ende.

Ndërkohë familjarë të Ylber Salihu kanë konfirmuar për ExpressOnline se ai eshte liruar rreth orës 16:00. Ai eshte intervistuar rreth 2 ore nga hetues te EULEX’it.

****************************

Prishtinë (PLOTËSUAR: 14:36) – Xhevahire Vatovci, shefe  e prokurimit në Policinë e Kosovës, shefi i administratës së Policisë Ragip Bunjaku, Ylber Salihu, pronar i firmës Triomed dhe biznesmeni Kadrush Koliqi, janë ndër të arrestuarit e sotëm, në aksionin e Policisë së EULEX-it, kanë bërë të ditur burime të Portalit LajmeShqip.com.

Këta të arrestuar këta dyshohen në rastin e blerjes së armëve, të cilat Policia i ka sot në shfrytëzim Policia e Kosovës, kanë bërë të ditur burimet e portalit.

Ndërkohë EULEX-i ende nuk i ka konfirmuar zyrtarisht emrat e të arrestuarve.

****************************

Prishtinë (PLOTËSUAR 14:12) – Burime të Portalit LajmeShqip.com bëjnë të ditur se është arrestuar njëri nga ndihmësdrejtorët e Policië së Kosovës, për rastin e njëjtë të arrestimeve të bëra nga EULEX-i.

****************************

Prishtinë (E mërkurë, 13:50) – EULEX-i ka nis gjuetinë kundër keqpërdorimeve dhe krimit të organizuar në dikasterin kosovar të Punëve të Brendshme.

Sot në mëngjes, policët e EULEX-it nga Njësia për hetimin e krimit të organizuar e kanë kryer një operacioni të bastisjes dhe arrestimit, lidhur me hetimet e pohimeve për korrupsion dhe keqpërdorime në prokurim, thuhet në një kumtësë të lëshuar nga Policia e EULEX-it.

Keqpërdorimet e pohuara kanë të bëjnë me procedurat e prokurimit në Policinë e Kosovës dhe bizneseve që e furnizojnë policinë me armë dhe municione. Për shkak të këtyre keqpërdorimeve të pohuara, buxheti i Policisë së Kosovës është dëmtuar me shuma që mund të arrijnë deri në miliona euro, gjë që e ka bërë Policinë e Kosovës viktimën kryesore të kësaj afere.

Gjithsej janë bërë gjashtë arrestime, duke përfshirë tre punëtorë biznesi, dy zyrtarë nga administrata e PK-së dhe një punëtor nga Ministria e Punëve të Brendshme. Përveç kësaj, janë bastisur edhe dymbëdhjetë lokacione të ndryshme në Kosovë, duke përfshirë shtëpi private, objekte afariste dhe zyra publike, bëhet e ditur në kumtesë.

Po ashtu, si pjesë e këtij hetimi, policia gjermane e ka bastisur një objekt afarist dhe një shtëpi private në Gjermani.

Hetimi udhëhiqet nga një prokuror i EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK). Bastisjet dhe arrestimet u bënë me autorizimin përkatës të gjykatësit të procedurës paraprake të EULEX-it, thuhet në fund të kumtesës së Policisë së EULEX-it. (LajmeShqip.com)