Lajme Shqip Monday, 02 December 2013 14:40

Tiranë- Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, mohoi çdo njohje me personat që i përmendën emrin në një nga video-përgjimet e publikuara në emisionin “Fiks-Fare”. Në një konferencë për shtyp, zoti Zaganjori e cilësoi rastin në fjalë si një mashtrim ekstremist të trashë, ndërsa argumentoi pretendimet e tij se nuk ka asnjë lidhje me këtë çështje. 

“Këto janë indicie sigurisht, po të përgjohen të gjitha tavolinat në gjykata jam i sigurt që aty mund të përmenden dhe kryetarë shtetesh të të gjithë botës. Këto probleme duhet të verifikohen. Në rastin konkret mashtrimi është ekstremist i trashë. Së pari, unë jam kryetari i Gjykatës së Lartë, kur marr pjesë në gjykim, e drejtoj kolegjin. Kam marrë shumë pak pjesë në gjykimet civile, për shkak të angazhimeve që kam pasur, një aktivitet jashtëzakonisht i ngjeshur. Nuk kam gjykuar absolutisht asnjë çështje penale. Eshtë mashtrim i pastër komplet. Persona absolutisht që nuk i njoh. Kam ushtruar profesionin e pedagogut, dhe më përshëndesin njerëz gjithandej, por jua them me sinqeritetin më të madh, këta persona nuk i njoh. Mund të verifikohet me telefona, kontakte, kudo. Nuk kam qenë në trupin gjykues. Unë nuk planifikoj gjykimet, kam vetëm një urdhër për gjykimin me procedurë të përshpejtuar të çështjeve.”- deklaroi kryetari i Gjykatës së Lartë. 

Kryetari i Gjykatës së Lartë vlerëson përpjekjet e medias për të luftuar korrupsionin në Drejtësi, dhe i kërkoi Prokurorisë hetimin e plotë të çështjes në fjalë. 

“Falënderoj programin “Fiks Fare” sepse vlerësoj që kritika ndaj pushtetit gjyqësor mungon në Shqipëri. Personalisht median e konsideroj si aleatin më të madh të gjyqësorit. Sigurisht qe ka raste korrupsioni në drejtësi, por unë mendoj që evidentimi më i qartë i rasteve të korrupsionit është analiza e vendimeve gjyqësore që mungon në realitetin shqiptar. Bota e ka jashtëzakonisht të zhvilluar dhe këtë çështje e kam ngritur vazhdimisht”- u shpreh Zaganjori. 

Sipas kreut të Gjykatës së Lartë, “korrupsioni në fushën e drejtësisë është forma më e shëmtuar e korrupsionit sepse jepet padrejtësi në emër të drejtësisë. Kemi një kuadër ligjor, janë marrë edhe masa por mendoj se janë të pamjaftueshme.” 

Në përfundim Zaganjori u bëri apel qytetarëve që të denoncojnë çdo rast korrupsioni në sistemin e drejtësisë, dhe i siguroi ata se çdo pretendim do të verifikohet. /BW/