Tiranë – Ish-Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti dhe ish-zëvendësi i tij Leonard Beqiraj, nëpërmjet përfaqësuesve ligjor kanë kërkuar sot në Gjykatën e Lartë pushimin e çështjes ndaj tyre.
Ata akuzohen për korrupsion nga prokuroria pas transmetimit në media pak kohë më parë të një video-je, ku ata shfaqeshin duke ndarë një sasi parash mes tyre. Në seancën e parë të zhvilluar sot ne Gjykaten e Larte, avokatët mbrojtës të palëve Fatmir Braka dhe Vladimir Meci, kanë kërkuar pushimin e çështjes, duke pretenduar se, akt ekspertimi i bërë për çështjen është i pavlefshëm, dhe për pasojë aktet qe rrjedhin prej tij, janë të pavlefshme.
Në seancë, perfaqesuesit e prokurorisë kërkuan disa dite kohë për të dhënë provat e tyre për çështjen. Trupi gjykues me relatorë Mirela Fanen dhe gjyqtarë Fatos Lulo, Arjana Fullani, Aleksandër Muskaj dhe Gani Dizdari, vendosi zhvillimin e seances tjetër me 7 maj.
Dy ish-zyrtarët e lartë akuzohen për korrupsion pasiv. Në videon e xhiruar nga vetë Dritan Prifti, shfaqet ai dhe Leonard Beqiraj duke ndarë mes njëri- tjetrit shumen prej 69 mijë eurove.
Videoja mes Dritan Priftit dhe Leonard Beqirajt u zbulua në shkurt te 2011 nga nje ekspert i huaj që mori në dorëzim kompjuterin e ish-ministrit të Ekonomisë, ndersa po bente verifikime për origjinën e videos “Meta-Prifti”. (LajmeShqip.com)