Lajme Shqip Monday, 21 November 2011 18:37

Tiranë- Seanca ndaj ish- zv/kryeministrit Ilir Meta vijoi sot ne Gjykatën e Lartë me deklarimet e dëshmitarëve.  Kështu,  pas dëshmisë së ish- ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti, kjo Gjykatë dëgjoi dëshmitë e një biznesmeni dhe dy zyrtarëve të kompanisë “Alpetrol”.

Në dëshminë e tij, biznesmeni Bekim Halilaj hodhi poshtë pretendimet se zoti Meta kishte ndërhyrë që kompania e tij të fitonte një ankand të ministrisë së Ekonomisë, për  naften e ‘Alpetrolit’.

Biznesmeni Halilaj, duke folur per çështjen, kujtoi se, ai, ishte konkurrent i vetëm për ankandin për naftën e Alpetrolit. 

Ndërkohë, të njëjtin qëndrim mbajtën në dëshmitë e tyre edhe nëndrejtori i ‘Alpetrolit”, Pajtim Sulaj dhe shefi i prokurorimeve në këtë kompani, Artur Mahmutaj, të cilët pohuan se, nuk kishin pasur asnjë ndërhyrje nga zoti Meta për shitjen e naftës bruto të kompanisë.

Faktikisht, ankandi për shitjen e naftes së Alpetrol, sikurse u pohua nga dëshmitarët ishte anulluar me pas nga ministria e Ekonomisë.

Këto dëshmi pasuan dëshminë e ish- ministrit te Ekonomisë Dritan Prifti, i cili pretenon se është autor i video përgjimit ndaj ish -zv/kryeministrit Meta.

Ish- ministri Prifti, ka mbrojtur versionin e tij se,  video e realizuar prej tij është autentike dhe se,  ajo është bërë për të denoncuar, sikurse pretendoi ai presionet e ish -zv/kryeministrit Meta.

Në një prononcim për mediat pas dëshmisë së tij, Prifti tha se “dëshmova të gjitha ato që unë di mbi këtë akuzë që është ngritur ndaj të pandehurit Ilir Meta. 

Në këtë seancë pyetjesh,  kisha mundësinë të sqaroja edhe një herë tjetër paprekshmërinë dhe jo ndërhyrjen në videon origjinale, pasi disa ditë më parë disa pseudo ekspertë guxuan të hidhnin dyshime, tha Prifti.

Ish-zv/kryeministri Meta është vene nën akuzen e korrupsionit nga prokuoria e Përgjithshme pas transmetimit  në media të videos, ku ai shfaqej me ish- ministrin Prifti ne një bisede per disa tendera të ministrisë së Ekonomisë.

Vetë zoti Meta, ka hedhur poshtë akuzën ndaj tij, ndersa e ka cilesuar videon si një shantazh për dëmtimin e imazhit të tij. Ndëerkohë, një ekspertizë e urdhëruar nga Gjykata e Larte, e ka nxjerrë këto video si jo origjinale.