Lajme Shqip Tuesday, 15 November 2011 20:38

E vetshpallur shenjtore, Eleonora Bregu, vetëvritet me armë zjarri.
Burime nga policia, bënë të ditur se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e sotme në ndërtesën e misionit “Eleonora”, në lagjen “Komuna e Parisit”, në kryeqytet.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë të cilat po punojnë për zbardhjen dhe motivet e vetëvrasjeje. Trupi i pajetë i të ashtuqujatur shënjtore është gjetur nga vajza e saj, në katin e parë të ndërtesës, që ndodhet brenda sektit fetar.

Kanë qenë forcat e komisariatit numër 1 dhe më pas ato të komisariatit numër dy, që ka mbërritur menjëherë në vendngjarja, të cilët kanë gjetur në banesën e të ndjerës një letër për Zotin dhe besimtarët e sektit të saj, të cilën e kishte shkruar para se ajo ti jepte fund jetës së saj.

Në letrën e të vetëshpallurës shenjtore thuhej: “Më mirë të vras veten se të le tokën e shenjtë”.

Nga hetimet paraprake mësohet se ndërtesa e misionit ‘Eleonora’ vitet e fundit ka pasur probleme pronësie me familjen Vorpsi dhe ky fakt dyshohet të jetë edhe motivi i vrasjes së gruas.

Mësohet se në momentin e aktit të vetëvrasjes, në sektin e të ndjerës ka qen i pranishëm roja i institucionit fetar i cili ka dëgjaur edhe krismat e armës së zjarrit. Ndërkohë policia po bën ekzaminimet dhe verifikimet në vendin e ngjarjes, ndërkohë që trupi i pajetë i besimtares është dërguar në institutin e mjekësisë ligjore.