Lajme Shqip Tuesday, 18 September 2012 19:27

Prishtinë- Kosova duhet ta kushtëzojë Serbinë me Luginën e Preshevës ashtu që drejtat e pakicave që janë në Kosovë t’i kenë edhe shqiptarët e kësaj pjese. Por kjo është vetëm njëra nga kërkesat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Shoqatës “Vatra”, pasi që kanë thënë se Serbia duhet të kushtëzohet edhe më njohjen reciproke të Kosovës, zbardhjen e fatit të pagjeturve, kthimin e pensioneve të Kosovës dhe kërkim faljen.

Gjatë një takimi të mbajtur në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje të martën me Shoqatën “Vatra” është biseduar për tema të ndryshme, por njëra nga temat më kryesore ka qenë paralajmërimi i dialogut politik mes Kosovës dhe Serbisë.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se kombi shqiptar në Luginë të Preshevës është pjesa më e harruar e kombit shqiptar dhe është fatkeqësi e madhe që kombi shqiptar në Luginë të Preshevës përballet me regjimin shtypës dhe të padrejtë serb i vetmuar dhe pa ndihmën e cila duhej të ishte më e fuqishme nga ana e Tiranës zyrtare dhe Prishtinës zyrtare.

Për më tepër, ai ka shtuar se shqiptarëve të Luginës së Preshevës edhe më herët iu është premtuar nga negociatorët e sotshëm që do të përfshihet si temë në gjitha negociatat. Mirëpo, sipas Konjufcës, shqiptarët e atjeshëm gjithmonë kanë qenë të mashtruar nga elitat politike me të cilat kanë negociuar me Serbinë. (LajmeShqip.com)