Lajme Shqip Tuesday, 28 August 2012 15:50

Prishtinë – Sot, aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje! ndërmorën aksionin simbolik “Shitet prona, 26.300 euro” përpara shtëpisë së kryeministrit Hashim Thaçi. Duke pasur në vëmendje ngutinë e kryeministrit për të shitur pronat publike të Kosovës me çmime qesharake, veçanërisht ato që përbëjnë sektorët strategjikë, aktivistët sot i sugjeruan që le të shesë pronat e tij private nëse ka zell për shitje.

Aktivistja Etleva Malushaj, tha se, kur flasim për pasuritë e Kosovës, duhet ta kemi parasysh që kompanitë publike nuk janë pronë e qeverisë e as të ministrave e kryeministrit aktualisht janë në te. Duke qenë pronë e publikut, pronë e të gjithë neve, atyre që kanë qenë para nesh dhe atyre qe do të vijnë pas nesh, vendimin për privatizim e kompanive publike do të duhet ta merrnin vetëm qytetarët e Kosovës. Për më tepër kjo qeveri nuk ka legjitimitet politik për t’i privatizuar këto kompani nëse i kemi parasysh organizimet qytetare, qoftë reagimet e OJQ-ve, sindikatave, subjekteve politike e grupeve të tjera që e kanë kundërshtuar privatizimin e Distribucionit dhe PTK-së. Gjithë ky organizim shoqëror tregon se qytetarët e Kosovës nuk janë duke u pajtuar me privatizimin e këtyre kompanive publike, trasnemton Indeksonline.

Publikja është diçka që nuk bëhet private. Kompanitë publike do të duhej të ishin kompani të paprivatizueshme. Ato duhet të jenë interes kombëtar, strategjik e interes ekonomik dhe si të tilla duhet të mbesin publike.

Mënyra që kjo qeveri po e përdor për privatizim e kompanive publike, duke i shitur ato sa më shpejtë e sa më lirë, po na bën të dyshojmë se kjo qeveri ka obligime e borxhe të cilat po përpiqe t’i shpaguajë duke e shitur pronën tonë. Por, ne i themi kryeministrit dhe ministrave që obligimet e tyre ti kryejnë duke e shitur pronën e tyre private e mos ta privatizojë pronën tonë të përbashkët e të mirën tonë të përgjithshme, për shkak se e mira jonë e përgjithshme, hapësira jonë publike dhe kompanitë tona publike nuk duhet të jenë pre e një qeverie e cila as legjitimitetin më të vogël politik nuk e ka për të qenë aty, e lëre më kredibilitetin për të ndërmarrë aktivitete në emër të qytetarëve të Kosovë. (LajmeShqip.com)