Lajme Shqip Monday, 06 August 2012 16:30

Prishtinë – Koncepti programor i Vetëvendosjes për mërgatën shqiptare përmban tri pika kyçe: të drejtën politike, përparësitë ekonomike dhe integrimin.

Sa i përket të drejtës politike, Vetëvendosje në program ka paraparë që secili qytetarë i mërgatës shqiptare të fitojë statusin e refugjatit, si atë ekonomik apo politik, e njëkohësisht t’iu ofrohet e drejta që ata të kenë shtetësi të dyfishtë dhe të drejtë votimi pa pengesa burokratike. 

Përparësitë ekonomike Vetëvendosja i ka arsyetuar me lehtësime tatimore, bankare dhe administrative. Kurse sa i përket integrimit, programi i Vetëvendosjes parasheh që shteti i Kosovës të ndihmojë emigrantët të marrin pjesë në zgjedhjet e atij vendi ku ata jetojnë.

Anëtarja e kësaj partie, Puhie Demaku, kritikoi institucionet e Kosovës, vecmas Ministrinë e Diasporës për neglizhencës ndaj bashkatdhetarëve.

 Anëtari tjetër i “Vetëvendosje”, Faton Topalli, tha se bashkatdhetarët duhet të kenë të drejtën e përfaqësimit në Kuvendin e Kosovës.

 Ndryshe, sipas statistikave zyrtare, rreth 25 për qind e popullatës ose mbi 500 mijë kosovarë jetojnë në vende të ndryshme të Evropës. Dërgesat e tyre vazhdojnë të jenë të mëdha për Kosovën. Sipas të dhënave të Bankës qendrore, vitin e kaluar ato ishin rreth 585 milionë euro, me një rënie prej 4.8 për qind gjatë gjysmës së parë të këtij viti. (LajmeShqip.com)