Lajme Shqip Saturday, 25 February 2012 18:30

Prishtinë-Në mënyrë që të mos pranohet marrëveshja për përfaqësimin rajonal të Kosovës pa termin Republikë dhe me Rezolutën 12 44 në fusnotë, Lëvizja Vetëvendosje ka nisur mbledhjen e 10 mijë nënshkrimeve të qytetarëve të Kosovës për një seancë të jashtëzakonshme në Kuvend.

Përfaqësuesit e këtij subjekti politik, pasi që nuk kanë marrë përkrahjen e duhur të partive të tjera opozitare për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme, kanë deklaruar se me nënshkrimet e qytetarëve do të arrijnë që të mbajnë seancën.

Ata kanë thënë se në seancë do të paraqitet një mocion, me të cilin kundërshtohet fusnota. Dardan Sejdiu ka bërë të ditur se nënshkrimi i peticionit ka filluar në të gjitha komunat e Kosovës.

“Sot, në 28 qendrat ku kemi ne qendra dhe zyre, kemi filluar mbledhjen e nënshkrimeve dhe ky proces po ecën shumë shpejt dhe shumë mirë. Së bashku me këto 10 mijë nënshkrime Vetëvendosje do të paraqesë edhe kërkesën për futjen në rend të ditës në Kuvendin e Repulikës së Kosovës temën, për të cilën jemi duke folur”, ka thënë Sejdiu.

 Arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për fusnotën, me të cilën Kosova do të përfaqësohet në forumet dhe nismat rajonale, Lëvizja Vetëvendosje e ka cilësuar si tejet të dëmshme.

Vetëvendosje këtë marrëveshje e sheh edhe si marrëveshje ndërkombëtare, e cila, sipas Sejdiut, duhet të vijë në Kuvendin e Kosovës për ratifikim.

“Ky është një vendim personal i kryeministrit, nuk ka vendim të Qeverisë. Kryeministri i Republikës së Kosovës e ka marrë këtë vendim dhe nuk mund të jetë vonë që të diskutohet në Kuvend. Kuvendi është ai që vendos për marrëveshje ndërkombëtare. Nëse Serbia është shtet fqinj, pra është marrëveshje ndërkombëtare edhe duhet të vijë në Kuvend”, është shprehur Sejdiu. (REL)