Lajme Shqip Thursday, 29 March 2012 15:40

Lëvizja “ Vetëvendosje” ka shprehur shqetësimin lidhur me arrestimin e djeshëm , Hasan Abazit, kryetari i Sindikatës së Metalistëve të Kosovës, si dhe  arrestimin Shemsi Nuhiut nga autoritete zvicerane në bazë të një  urdhër-arrestit të lëshuar nga autoritetet serbe.

Deputeti i kësaj lëvizje, Glauk Konjufca, tha se me këto veprime Serbia po e konfirmon qëndrimin e saj antishqiptar. Ndërsa fajësoi qeverinë e Kosovës, duke thënë se ka politikë nënshtruese ndaj Serbisë.

“Kosovës po i kushton shtrenjtë kjo politikë nënshtruese ndaj Serbisë. Por faturën në këtë rast nuk po e paguajnë, as politika, as zyrtarët politikë, por çmimin po e paguajnë qytetarët e Kosovës të cilët tashmë po ndiqen nga Serbia edhe në vendet e Perëndimit. Të vetmit persona me të cilët Serbia, tash për tash nuk ka problem janë kryeministri Thaçi dhe kryengeociatorja Tahiri,” tha Konjufca. 

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti tha se politika e qeverisë serbe vazhdon të jetë e njëjta me atë të Millosheviçit. Kjo është pasojë e kompromise të vazhdueshme që janë bërë në dëm të shtetit të Kosovës, tha Ahmeti.

Arrestimet e shqiptarëve janë bërë në shenjë hakmarrje që policia e Kosovës ka arrestuar katër pjesëtarë të komunitetit serb tek të cilët është gjetur material për zgjedhjet lokale serbe të paralajmëruara për fillimin e majit.