Lajme Shqip Thursday, 16 February 2012 18:18

Lëvizja Vetvendosje, ka reaguar në prag të shpalljes së pavarësisë së Kosovës duke u shprehu se “E kemi vlerësuar aktin e shpalljes së Pavarësisë si një hap para dhe 3 hapa prapa. Teksti i deklaratës së pavarësisë, i shpallur në Kuvend më 17 shkurt 2008, përmban disa pika problematike, jehonën e të cilave po e jetojmë edhe sot dhe do ta jetojmë derisa të mos e ndryshojmë këtë kurs politik, thuhet në një kumtesë të Lëvizjes Vetëvendosje.”

Sipas tyre, Deklarata e Pavarësisë së Kosovës më shumë flet për gatishmërinë për të marrë obligime sesa për vullnetin për të qenë i lirë.

Vetvendsoja vlereson se, “Obligimi kryesor në deklaratën e pavarësisë është Propozimi Gjithëpërfshirës i Planit të Ahtisaarit i cili drejtpërsëdrejti e cungon të drejtën dhe mundësinë që lirshëm ta caktojmë modelin e shtetit të cilin duam ta ndërtojmë”, thuhet në kumtesë, sipas së cilës akti i shpalljes së pavarësisë ka ftuar njëkohësisht misionet të cilat e “minojnë sovranitetin për së brendshmi”.

Por sipas lëvizjes së ideuar dhe drejtuar nga Albin Kurti, “që prej shpalljes së pavarësisë shteti ynë është quajtur sui generis… Kemi mbetur në mëshirën e eksperimentit dhe eksperimentuesit… Kur nuk mund të krahasohemi me të tjerët, atëherë nuk mund të jemi të barabartë me të tjerët, dhe as të kërkojmë atë që të tjerët kanë. Sui generis na përjashton nga bota dhe nuk na e mundëson integrimin në të”.

VV thotë se Kosova është ende pa sovranitet, pa integritet territorial, pa ekonomi, me struktura ilegale të shtetit serb, me privatizim të egër neoliberal, me varfëri dhe papunësi më të madhe në Evropë.

“Këto katër vite janë vite të humbura për Kosovën, por jo edhe për politikanët të cilët sot janë më të pasur së kurrë më parë”-mbyll deklaratën e saj Lëvizja Vetvendosje.