Lajme Shqip Tuesday, 11 September 2012 08:26

Bernë –  Kryetari i Lëvizjes për Vetëvendosje Albin Kurti, i shoqëruar nga Xhelal Sveçla, drejtues i Sekretariatit për Marrëdhënie me Jashtë dhe Faton Topalli, përgjegjës për diasporën në këtë subjekt, kanë mbajtur një takim me bashkatdhetarët në Bernë. Politikanët nga Kosova e kanë zhvilluar këtë takim dhe një tjetër në Lozanë, në kuadrin e qëndrimit të tyre në Zvicër, ku ishin të ftuar në kongresin e Partisë Socialdemokrate të Zvicrës që u mbajt gjatë kësaj fundjave në Lugano.

 Kryetari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje për Zvicër, Mujë Shala ka bërë një prezantim të strukturës së kësaj lëvizjeje në Zvicër, që mbështetet në gjashtë pika në qytete të ndryshme të këtij vendi dhe qendrën në Gjenevë, transmeton albinfo.

Ndërsa Faton Topalli është thelluar në rolin që diaspora shqiptare e Zvicrës ka pasur në të gjitha zhvillimet me rëndësi në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare në 30-40 vitet e fundit. Ai ka përmendur me këtë rast veçanërisht ndihmën që kanë dhënë bashkatdhetarët përmes fondeve si “3 përqindëshi” dhe ai “Vendlindja thërret” për mbajtjen gjallë të jetës në Kosovë, respektivisht për luftën çlirimtare të zhvilluar atje më vonë. Por, ka përmendur Topalli, shumë nga ata që kanë gëzuar mikpritjen dhe besimin e mërgimtarëve tanë atëbotë, sot, duke qenë në krye të institucioneve të Kosovës, kanë shpërdoruar këtë besim.

Në fjalimin e tij Albin Kurti ka kërkuar nga bashkatdhetarët që për të përmirësuar statusin e tyre të aktivizohen në partitë dhe organizatat tjera që tubojnë qytetarët zviceranë. “Sepse, vetëm qytetari aktiv mund të ndryshojë jetën për të mirë ndërsa ai pasiv bëhet viktimë e padrejtësive”, ka thënë Kurti duke folur për nevojën e aktivizimit.

Kyretari i Vetëvendosjes ka kërkuar nga bashkatdhetarët që të ndihmojnë Kosovën me përvojat që marrin në një vend demokratik si Zvicra. Ndërsa bashkëpunëtori i tij, Xhelal Sveçla ka qenë më i drejtpërdrejtë në kërkimin e kësaj ndihme: “Ne kemi hyrë në një llum të tillë, sa që është e vështirë për njerëzit e thjeshtë që të dallojnë më se çka është e ndershme e çka jo. Prandaj ju, që jetoni në një sistem të konsoliduar demokratik mundeni të na ndihmoni dhe me idetë tuaja të na jepni energji për të vazhduar rezistencën ndaj të keqes në Kosovë”, ka thënë ai.

Kurti ka theksuar disa herë se Lëvizja Vetëvendosje i ka vënë vetes si qëllim që të ndryshojë logjikën mbizotëruese në Kosovë, që në pushtet të vihet për tu pasuruar. Kjo është ajo që e bën të ndryshme Vetëvendosjen nga partitë tjera, ka thënë Kurti, i cili është zotuar se edhe po të vijë në pushtet, Vetëvendosja nuk do të braktisë këtë filozofi. Ai ka shpjeguar edhe domosdonë që e ka shtyrë Vetëvendosjen të hyjë në institucione, përkundër qëndrimit mohues që ka pasur ndaj tyre. “Kjo ka qenë mënyra e vetme për të përcjellë në parlament zërin e protestës kundër të keqes”, ka arsyetuar Kurti inkuadrimin. (LajmeShqip.com)