Lajme Shqip Saturday, 30 July 2011 11:46

Prishtinë, 30 korrik – Kundër dënimit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së ka reaguar Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

“Misioni i EULEX-it është vënë plotësisht në shërbim të Serbisë dhe politikës së saj gjenocidale. Dënimi i eprorëve dhe luftëtarëve të UÇK-së, Sabit Geci, Riza Alija, Shaban Hoti e Haki Rexhepi argumenton qartë degradimin e këtij misioni në të gjitha aspektet, prej atij profesional e deri tek ai moral”, thuhet në kumtesën e OVL të UÇK-së.

“Derisa Kosova dhe populli i saj cenohet nga agresioni i bandave kriminale serbe, EULEX na argumenton se qëllimi kryesor i këtij misioni na qenka përkrahja e Serbisë dhe pengimi i institucioneve të Kosovës. Politika e demonizimit të luftëtarëve të lirisë, me akuza të rrejshme të përgatitura nga Beogradi dhe kolaboracionistët, e qartëson edhe më tutje pozicionin e EULEX-it dhe panevojshmërinë e ekzistencës së këtij misioni”, përfundon kumtesa e nënshkruar nga Muharrem Xhemajli, kryetar i Veteranëve të Luftës të UÇK-së.