Lajme Shqip Monday, 30 January 2012 20:30

Pogradec – Një ngjarje e pazakontë, plot me mister ka ndodhur në një nga hotelet në qendër të qytetit të Pogradecit. Te dielën rreth orës 18.00  ka mbërritur një grua 46 vjeçare nga fshati Potgorie i Korçës, e cila ka kërkuar një dhomë, pasi priste që aty të vinte i shoqi me të cilin do të qëndronte një natë. Pasi ka marrë çelësin e dhomës nr. 108 në hotelin në qendër të qytetit, ajo është nisur për në dhomë. Sportelisti tregon se gruaja qetësisht ka marrë çelësin, kryer pagesën për një natë dhe është ngjitur në dhomë.

Gjatë gjithë kohës që ajo ka qenë në dhomë nuk është ndjerë madje as i shoqi, siç pretendonte ajo, i cili nuk është parë të shkonte në dhomën e saj. Rreth orës  07.30 të mëngjesit të së hënës kanë mbërritur me urgjencë në hollin e hotelit dy makina policie dhe inspektorët kanë kërkuar dhomën e 46-vjeçares, Flutura Pine. Ata kanë trokitur në derë, por për gati 10 minuta nuk kanë marrë asnjë përgjigje; dhe në këto kushte kanë shpërthyer derën dhe kanë gjetur të shtrirë mbi krevat pa ndjenja 46-vjeçaren Flutura Pine. Ajo është transportuar menjëherë për në spitalin e qytetit në gjendje tepër të rëndë.

Sipas burimeve spitalore, gjendja e saj është serioze për jetën, pasi ka konsumuar një sasi të madhe helmi fostoksine, duke u helmuar me dashje për t`i dhënë fund jetës  së saj. Mjekët e spitalit thonë se po bëhen përpjekje maksimale për ta kthyer atë në jetë.

Burime policore bëjnë te ditur se ka qenë një mesazh telefonik që Flutura Pine i ka dërguar familjes së saj ku shkruan: “Më vjen keq t’ju them se unë jam në një hotel në qendër të Pogradecit dhe po vetëhelmohem. Kam diçka personale që nuk mund t’jua them. Lamtumirë, ju dua shumë!”. Me t’i mbërritur ky mesazh familjes, ata kanë njoftuar menjëherë policinë e Korçës, e cila me urgjencë ja ka kaluar kolegëve të saj në Pogradec, ku këta të fundit e gjetën 46-vjeçaren në grahmat e fundit të jetës. Ndërkohë, Policia ka marrë në pyetje të afërmit e saj për të zbuluar misterin se kush e ka shtyrë 46-vjeçaren që të kryejë vetëvrasje.