Lajme Shqip Tuesday, 07 February 2012 10:00

Prishtinë-Ish-shefi i Shërbimit Informativ të Kosovës, Kadri Veseli, ka reaguar të hënën ndaj akuzave të Isa Mustafës dhe politikanëve tjerë në adresë të tij.

Veseli ia ka përkujtuar Kryetarit të LDK’së funksionet që dikur mbante në kohën e komunizmit, derisa të tjerëve u ka thënë se nuk do të mund të përfitojnë politikisht nga krimet e pazbardhura të pasluftës.

“Është për keqardhje se në cilën rrugë të papjekurisë dhe nxitjes së urrejtjes po tentohet të drejtohet populli ynë nga një pjesë e politikës, e prirë dhe nga Kryetari i LDK’së dhe shefi i opozitës z. Isa Mustafa”, fillon deklaratën e tij Veseli dërguar mediave.

“Në vend të fokusimit në prioritetet nacionale dhe krijimit të respektimit të stabilitetit të institucioneve, tentativa për t’i dhënë kahe imponuese politike, absolute dhe nxitës gjërave sensitive në princip, pa bazën e fakteve dhe argumenteve dhe në rrugë joinstitucionale, të përkujton një kohë dhe mentalitet që popullit tonë i kanë kushtuar shumë në të kaluarën, me të persekutuar, burgosur e vrarë”.

Më pas, Kadri Veseli ia përkujton Isa Mustafës funksionet që mbante në sistemin komunist.

“Për më tepër, është paradoksale kur pjesë të këtij procesi bëhen pikërisht eksponentë, të cilët që nga fëmijëria ime kanë qenë pjesë aktive dhe me petkun më të lartë ekzekutiv të kohës e atyre veprimeve dhe asnjëherë deri më sot, as edhe verbalist, nuk kanë marrë qëndrim distancues nga krime të tilla”, thotë Veseli.

“Është e vërtetë se në këtë vend kanë ndodhur disa krime që e kanë turpëruar dhe gjakosur lirinë dhe ato duhet doemos të zbulohen, por këto tragjedi askujt nuk duhet t’ia japin privilegjin e takuesit, aq më pak turpin e kënaqësisë dhe përfituesit për momente politike, siç është bërë praktikë kjo nga të tillë”, thuhet më tej në deklaratën e tij.

Kadri Veseli thotë se çdokush një ditë do të përgjigjet për veprat e tij.

“Kryetari i LDK’së, si dhe çdokush para e pas tij, duhet të deklarohen dhe marrin përgjegjësinë etike e juridike për akuzat që bëjnë para organeve të drejtësisë, sepse në të kundërtën, turpi dhe përgjegjësia do të jenë njëtrajtshëm më ata që kanë kryer krime të tilla”, thotë ai.

“Unë jam mundur e po mundohem të qëndroj larg kësaj gjuhe, për hir të interesit nacional. Tek e fundit, tek populli, shteti dhe Zoti, secili do të marrë çdo ditë atë që meriton”, përfundon deklarata e Veselit.