Lajme Shqip Sunday, 18 March 2012 14:45

“Nuk kemi bërë debat me ndonjë polic të trupave afgane”. Aleksandër Peci, nëntetari që u plagos gjatë misionit paqeruajtës në Kandahar, nuk pranon se sulmi ishte i motivuar nga shkaqe personale.
Megjithatë, ai nuk tregon versionin e plotë të ngjarjes, se çfarë ndodhi në datën 20 shkurt 2012, kur kolegu i tij i misionit “Eagle 4″, kapiten Feti Vogli, ndërroi jetë nga plumbat, si dhe u plagosën 2 komando të tjerë të NATO-s, njëri prej të cilëve vetë Peci. Mungesën e rrëfimit, ai e argumenton duke theksuar se nuk mban mend se çfarë ka ndodhur. E vetmja gjë që i kujtohet, sipas tij, është dëgjimi i breshërisë së plumbave, por jo pamjet. Nga ana tjetër, Peci duket sikur nuk dëshiron të tregojë, edhe nëse di më shumë. Ashtu si edhe familja e tij, që gjatë intervistës për gazetën “Panorama”, i ndërhynin vazhdimisht dhe i rekomandonin që të mos flasë. Madje, një moment, babai i tij, Jak Peci, kërkoi që të ndërprisnim intervistën, pasi pyetjet i dukeshin provokuese. Po ashtu, edhe vetë Aleksandri nën ndikimin e të atit, la në mes bisedën duke i konsideruar pyetjet si “të padrejta dhe tendencioze”. Në këto rrethana, intervista e mëposhtme vjen e papërfunduar, por mund t’ju sigurojmë se asnjë pyetje nuk ka qenë tendencioze. Janë pyetje që secili prej nesh i ka bërë që nga dita e sulmit të 20 shkurtit. Është e drejta jonë si reporterë që të bëjmë pyetje, ashtu si edhe e drejta e Pecit që të përgjigjet, ose jo. Nga ana tjetër, duhet marrë parasysh edhe kontrata e punës që Peci ka me shtetin shqiptar. Para nisjes së detyrës, komandot firmosin një dokument pune, ku ndër të tjera theksohet se nuk mund të tregojnë asgjë rreth misioneve. Ndërkaq, duket se Peci është këshilluar edhe nga miqtë e tij që të mos rrëfejë. Një natë para kthimit në Shqipëri, ai ndau emocionet me miqtë e tij në rrjetin social në “Facebook”. Mes shumë urimesh, për mirëseardhje dhe shërim të shpejtë, veçojmë një këshillë që komandat Naim Dani i shkroi Aleksandër Pecit: “Një porosi të jap jo si shef, por si më i madh, mos trego se çfarë ka ndodhur me detaje dhe mos merr kontakt me gazetarët, se ata material duan”. Pas kësaj, Peci i ka shkruar: “Nuk ke pse të kesh merak, se unë nuk kam punë me gazetarët”. Pas gjithë kësaj historie, komandat Dani mund të rrijë krejtësisht i qetë…
Si ndiheni pas kthimit në Shqipëri?
Normalisht që ndihem shumë mirë, pasi tashmë jam pranë familjes sime dhe i shoh të gjithë të lumtur. Pas gjithë asaj që kalova, kthimi në shtëpi ishte dëshira ime më e madhe dhe mezi prisja që të vija.
Keni dhimbje në trup akoma?
Dhimbjet janë dhe do të vazhdojnë derisa të shërohem plotësisht. Është normale kjo. E rëndësishme është që jam në shtëpinë time. Me njerëzit e mi.
A e dinit rrezikun para se të pranonit që të shkonit me mision paqeruajtës në Afganistan?
Sigurisht që e dija.
Atëherë pse pranuat?
Të shkoja me misionin paqeruajtës ishte pjesë e profesionit tim. Pas shumë vitesh në ushtri, edhe mua m’u dha rasti që të avancoja në karrierë dhe të përzgjidhesha si komando në misionet paqeruajtëse.
Me çfarë pagese pranuat që të shkonit?
Nuk ka lidhje pagesa në këtë intervistë. Pse, ju pa rrogë punoni? Çdokush që bën një punë, sigurisht që edhe merr shpërblimin e saj. Pagesa nuk ka pse të diskutohet dhe nuk ka asnjë rëndësi.
Ka rëndësi, pasi qarkullojnë deklarata se madje jepen dhe ryshfete vetëm për t’u pranuar në këto misione paqeruajtëse, pasi rrogat janë shumë të larta…
Unë nuk kam dhënë ryshfet. Kam shprehur gjithnjë dëshirën të shkoj dhe m’u dha rasti.
Konkretisht, kundrejt çfarë pagese?
Unë jam paguar aq sa të tjerët.
Dhe sa janë paguar “të tjerët”?
Nuk kam pse t’jua tregoj. Gjejeni vetë te Ministria e Mbrojtjes.
Me Ministrinë e Mbrojtjes keni bërë kontratën e punës?
Jo. E kam bërë pranë repartit tim. Te batalioni special në Zall-Herr. Që atje jam dërguar me mision në Afganistan.
Në çfarë vendesh keni qëndruar gjatë misionit atje?
Kemi qëndruar në Kandahar, aty kishim bazën e misionit paqeruajtës.
Nuk keni lëvizur nëpër rajone të tjera, qytete të tjera?
Jo, vetëm në zonën e Kandaharit, fshatrat rreth tij.
A mund të na tregoni diçka rreth ditës së sulmit, çfarë ndodhi konkretisht?
Dëgjoni, unë nuk mbaj mend asgjë se çfarë ka ndodhur atë ditë.
Megjithatë, minutat para sulmit mund t’ju kujtohen. Çfarë po bënit?
Po shoqëronim vullnetarët e një organizate bamirësie, që do të shpërndante mjete shkollore në një lagje të varfër të provincës në Kandahar. Pra, misioni ynë ishte patrullim dhe sigurim personeli. Ishim rrugës së fshatit ku do të shkonim dhe më kujtohet se dëgjova breshëri plumbash, por s’kam parë asgjë. Nuk kam pamje të sulmit në mendje. Dhe siç jua thashë, nuk mbaj mend asgjë tjetër se si kanë rrjedhur ngjarjet.
Pra, sulmi ka qenë i beftë?
Nuk e kam idenë nga erdhi dhe si erdhi sulmi. Derisa nuk kam parë asgjë, nuk kam çfarë tregoj për gjëra me hamendësime.
A është e vërtetë që keni pasur grindje me fjalë me një polic afgan, para se të qëlloheshit?
Jo, nuk është e vërtetë. Të vërtetën e sulmit sapo jua tregova aq sa dija dhe nuk keni pse pyesni më. Nuk jemi grindur me asnjeri. Ne thjesht po realizonim misionin tonë që na ishte ngarkuar.
Megjithatë, në një raport të “CNN” u deklarua se sulmi erdhi pikërisht pas sherrit me këtë polic?
Nuk ka thënë askush asgjë. Këto janë shpifje të medias shqiptare.
Më duhet të këmbëngul, deklarata e “CNN” ishte pikërisht kjo: “Dhuna rezultoi nga një grindje ndërmjet policisë afgane dhe ushtarëve të koalicionit, të cilët ishin duke shpërndarë dokumente për studentët në zonë, tha zyra e medias në Kandahar”. Cili është reagimi juaj?
Nuk jemi në hetuesi të më pyesni për të tilla gjëra.
Edhe Gul Mohammad, shefi i Policisë së zonës ku ndodhi sulmi, ka raportuar zyrtarisht se “kishte shpërthyer një debat midis perëndimorëve dhe afganëve vetëm pak para se të ndodhte sulmi”. Është raporti zyrtar kundër dëshmisë suaj. Si mund të na e vërtetoni të kundërtën?
Nuk flas më për këtë çështje. Nuk mund dhe nuk dua ta vazhdojmë më tej intervistën me të tilla pyetje të padrejta dhe tendencioze.