Lajme Shqip Monday, 25 April 2011 15:05

Mitrovicë – Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka thënë  se mjekësia familjare në Zubin Potok ka uzurpuar disa nga lokacionet e këtij institucioni.

Zyrtarët e KGJK-së kanë kërkuar ndihmën e EULEX-it për zgjidhjen e problemit, i cili mohohet nga autoritetet e Qendrës Shëndetësore në veri të Mitrovicës. 
Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka njoftuar se në Zubin Potok, zyrat e Gjykatës Komunale dhe të asaj për Kundërvajtje janë uzurpuar nga njësitë e mjekësisë familjare serbe, struktura të administruara nga Beogradi zyrtar.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Enver Peci, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në disa pjesë të lokaleve të sistemit të drejtësisë janë vendosur ordinanca shëndetësore. 
“Gjykata Komunale dhe ajo për Kundërvajtje në Zubin Potok janë uzurpuar nga mjekësia familjare. Ambulanca që ka qenë në Zubin Potok, afër gjykatës, sipas informacioneve, do të rinovohet, apo do të ndërtohet diçka e re, andaj punëtorët shëndetësorë kanë kaluar në ndërtesën e gjykatës”, ka thënë Peci. 
Duke u bazuar në këto informacione që ka marrë Këshilli Gjyqësor, Peci ka thënë se është kërkuar nga EULEX- i që të marrë masa dhe objekti të vazhdojë të jetë pronë e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. 
“Unë i kam dërguar EULEX-it një letër – pasi ai është përgjegjës për sigurinë në atë pjesë – në mënyrë që të verifikohen faktet dhe të lirohet ajo pjesë e gjykatës, sepse është pjesë e Këshillit Gjyqësor. Një veprim i tillë nuk përputhet me asgjë… Aty ka pasur edhe dosje; ne duhet të kujdesemi për pronën e gjithashtu edhe për lëndët që kanë qenë aty”, u shpreh Peci.
Sqarimet nga misioni evropian për sundimin e ligjit nuk kanë arritur, duke qenë se dita e sotme është festë zyrtare në Kosovë. 
Deri më tash, sipas Pecit, EULEX-i nuk i është përgjigjur letrës, me të cilën i është drejtuar Këshilli Gjyqësor i Kosovës. 
Nga ana tjetër, Millan Jakovleviq, drejtor i Qendrës Shëndetësore në veri të Mitrovicës, konfirmoi hapjen e qendrës shëndetësore në Zubin Potok, por mohoi se kjo qendër do të hapet në objektet e gjykatave. 

“Jo, nuk është e vërtetë. Kush ju ka dhënë këtë informacion? Ne do të fillojmë me punën në qendrën shëndetësore në Zubin Potok. Komuna e Zubin Potokut i ka ndarë disa dhoma në ndërtesën e saj për personelin tonë. Unë e di që këto janë dhomat e komunës”,ka thënë Jakovleviq për Radion Evropa e Lirë. 

Bëhet e ditur se në Zubin Potok aktualisht në një ndërtesë funksionojnë disa institucione, duke përfshirë administratën komunale dhe disa institucione të drejtësisë.

Autoritetet e rendit në Mitrovicë thonë se kanë informacione jozyrtare lidhur me uzurpimin e gjykatave në veri. Por, sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, policia nuk ka pasur asnjë angazhim deri më tash lidhur me rastin. 

Sido që të jetë, lidhur me këtë rast, edhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë deklaruar se nuk do të lejojnë tjetërsimin e pronave në veri të vendit, ndonëse nuk kanë sqaruar se me çfarë mjetesh do ta parandalojnë një gjë të këtillë.