Lajme Shqip Thursday, 01 September 2011 15:31

Prishtinë – Aksionet për rend dhe ligj në veri do të vazhdojnë dhe janë rezultat i ivestigimit të përbashkët të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, tha sot kryeministri Hashim Thaçi.

Ai e vlerësoi të rëndësishme që në veri kontrabanda është ndalur plotësisht, dhe se institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare do të jenë në pikat kufitare 1 dhe 31 dhe nuk do të ketë rikthim prapa në gjendjen e para 25 korrikut.

“E theksoj edhe një herë ata bartës të institucioneve ilegale dhe kriminale do të ballafaqohen me drejtësinë. Ata do të kenë fletarrestet ndërkombëtare dhe edhe vetë Beogradi nuk do të mund t’i strehojë më tutje”, shtoi kryeministri kosovar.

“Një pjesë e tyre janë në arratisje, por edhe Beogradi ka obligim ndërkombëtar t’i arrestojë njerëzit që kanë ushtruar dhunë në Republikën e Kosovës, e ka edhe si kriter evropian”, theksoi Thaçi.

Mbrëmë, në një deklaratë të përbashkët nga EULEX-i, KFOR-i dhe Policia e Kosovës njoftohej se gjatë ditës së djeshme në një operacion në veri në hetimet për vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, ishin konfiskuar prova, përfshirë armë dhe një automjet.