Lajme Shqip Tuesday, 26 July 2011 14:41

Beograd – Për aksionet e njësiteve të Policisë së Kosovës dhe marrjes nën kontroll të pikave 1 dhe 31 të doganave në veri të vendit, kanë reaguar edhe institucionet e Serbisë.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq dhe kryeministri, Mirko Cvetkoviq kanë kontaktuar menjëherë Komisionin Evropian, OKB-në, NATO-n dhe institucionet tjera ndërkombëtare, pas intervenimit të Policisë së Kosovës në veri për të marrë kontrollin në pikat kufitare me Serbinë.

Ndërkohë, Shefi i ekipit negociator të Serbisë, Borko Stefanoviq, ka thënë se janë në pritje të përgjigjes së Prishtinës në lidhje me ofertën e palës serbe- që njësitë e policisë të tërhiqen nga postblloqet që i kanë marrë mbrëmë, në mënyrë që serbët të zhbllokojnë rrugët.

Stefanoviq, së bashku me ministrin serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, kanë arritur mbrëmë në Kosovë, pas informacioneve për aksionin e policisë së Kosovës dhe pas grumbullimit të qindra serbëve në veri, të cilët përpiqeshin që të pengojnë njësitë speciale të policisë që të vendosën në portën 1, përkatësisht në pikën kufitare të Jarinjës.