Lajme Shqip Friday, 10 February 2012 17:00

Tiranë- Prej 10 ditësh vijojnë problemet nga moti i keq kryesisht në zonat veriore të vendit. Rrugë të bllokuara, situata emergjence shëndetësore, mungesa ushqimore.

Këto janë problemet me të cilat përballen banorët e zonave të bllokuara në Kukës, Dibër, Tropojë e Pukë, ndërkohë që dje nisi shpërndarja nga ajri dhe toka e pakove ushqimore në këto zona të izoluara.

Gjatë natës kanë rinisur reshjet e dëborës gjatë natës në Pukë, Kukës, Dibër, Korcë dhe Malësinë e Madhe. Mësohet se tre kamionë me paketa ushqimore nuk arritën të shkarkoheshin mbrëmë pasi magazinat e rezervave të shtetit janë të izoluara. Raportohet se ka filluar hapja e rrugës së komunës Qelez.

Në Kukës të gjitha komunat e bllokuara, ndërsa ka emergjenca për furnizim me ushqime, kreu i komunës Ujmisht deklaron se situata është jashtë kontrollit, nuk funksionon prej 9 ditësh asnjë qendër shëndetësore.

Në Dibër janë të izoluara komunat: Lurë, Kala e Dodës, Sllove, Muher, Ostren, Trebisht, disa fshatra të Martaneshit dhe disa fshatra të komunës Zerqan. Ka pasur probleme me të sëmuret, të cilët nuk kanë mundur të transportohen te mjeku për shkak të bllokimit të rrugëve.

Edhe sot rezultojnë të bllokuar akset Fushë Arrëz-Kukës, B.Curri-Fushë Arrëz. Janë të kalueshme me zinxhirë akset Pukë-Fushë Arrëz, Pukë-Shkodër, ndërkohë që të gjitha segmentet rurale në Pukë vazhdojnë të mbeten të bllokuara prej 10 ditësh.

Në Shkodër janë të pakalueshme akset Bogë-Theth dhe Theth-Vermosh. Në Korcë janë të kalueshme me zinxhirë akset Qafa e Qarrit, Ersekë-Leskovik, Korcë-Voskopojë, Korcë-Dardhë si dhe është zhbllokuar aksi Kapshticë-Kozanë.

Të bllokuara komunat Clirim, Velcan dhe Lekas.Të bllokuara vazhdojnë të jenë akset Krumë-B. Curri, B.Curri-Qafe Morinë, Kukës-Peshkopi, Kukës-Shishtavec. Aksi Peshkopi-Librazhd është i bllokuar, ndërsa aksi Peshkopi-Qafë Buall kalohet me vështirësi me zinxhirë. Ndërsa akset Kukës-Krumë, Morinë-Kalimash janë të kalueshme me zinxhirë. (LajmeShqip.com)