Lajme Shqip Wednesday, 18 April 2012 14:41

Prishtinë – Kuvendi i Kosovës nisi ne orën 14:00 një seancë të jashtëzakonshme për të debatuar lidhur me gjendjen në veri të Kosovës. Seanca e jashtëzakonshme thirret pas kërkesës së nënshkruar nga 46 deputetë të Grupit Parlamentar i PDK-së dhe deputetë të tjerë nga radhët e koalicionit qeverisës.

Ka mbetur që kërkesa për seancë të jashtëzakonshme të deponohet në Zyrën për parashtresa të Kuvendit, në mënyrë që ajo të quhet e ligjshme, shprehet kryetari i kuvendit Jakup Krasniqi. Ndërkohë dy seanca të tjera do të zhvillohen të enjten dhe të premten ku mes te tjerash do të diskutohet për Strategjine dhe Planin e veprimit kundër korrupsionit.

Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës që po mbahet për gjendjen në veri të vendit, deklaroi se situata e sigurisë në veri është e tensionuar si pasojë e veprimeve të organizatave kriminale serbe, me mbështetjet e strukturave ilegale, mirëpo po mbahet në kontroll. Rexhepi duke raportuar për gjendjen në Mitrovicë theksoi se përgjegjës për gjenden atje janë institucionet e Serbisë, të cilat janë kapluar nga ethet zgjedhore.

Ai deklaroi se me arrestimet e qytetarëve të Kosovës në Serbi, me moszbatimin e marrëveshjeve, po dëshmohet se ministri i rendit i Serbisë, Ivica Daçiç me plot fanatizëm po dëshmon se është trashëgimtar i Millosheviçit. Rexhepi duke folur rreth vrasjes së Selver Haradinaj tha se rasti është cilësuar si akt terrorist, dhe i i tillë është duke u hetuar nga Njësiti anti-terrorist i Policisë së Kosovës, mbështetur nga Task-Forca e EULEX-it. Ministri i rendit, ndër të tjera u shpreh se pas gjendjes së krijuar kanë shtuar prezencën e policisë në lagjet e banuar me popullatë të përzier. (LajmeShqip.com)