Lajme Shqip Monday, 08 August 2011 15:29

Prishtinë – Kreu i ekzekutivit kosovar, Hashim Thaçi, do ta presë të hënën ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Guido Westerwelle, i cili do ta vizitojë Kosovën, pas zhvillimeve më të fundit në veri, kanë transmetuar mediat gjermane.

Gjermania duket se po synon më shumë rol në Kosovë. Ministri i saj i Jashtëm Guido Westerwelle, të enjten zbret në Prishtinë. Do ta takojë kryeministrin Hashim Thaçi dhe komandantin e KFOR-it, Erhard Buhler.

Kryediplomati gjerman është i pari zyrtar i lartë i një vendi të BE-së që e viziton Kosovën pas zhvillimeve të fundit në veri dhe duket se do të përpiqet të merret për së afërmi me situatën, pasi të dielën u takua me ministrin e Jashtëm britanik, Hague.

Kryediplomati Westerwelle do ta bëjë një udhëtim me helikopter mbi veri ndërsa në vizitën tri ditësh në Ballkan, do ta vizitoj edhe Kroacinë e Malin e Zi. Pas takimit me homologun britanik, të dyja vendet lëshuan një komunikatë për zhvillimet në Kosovë duke kërkuar të mbrohen kufijë ekzistues të Kosovës dhe që vendet, Kosova dhe Serbia të mos e rrezikojnë BE-në, kanë bërë të ditur mediat gjermane.