Lajme Shqip Wednesday, 15 February 2012 09:00

Tiranë -Kryeminisitri Sali Berisha, deklaroi gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Emergjencave se prioritet kryesor në situatën e krijuar nga moti i keq, është shpëtimi i jetëve njerëzore dhe zhbllokimi i akseve rrugore.

Kryeministri theksoi se anëtarët e komitetit të emergjencave janë të gjithë në terren dhe kanë si qëllim të vetëm shpëtimin e jetëve njerëzore dhe ndihmën ndaj banorëve në zonat e bllokuara.

Shefi i qeverisë, ka falenderuar qytetarët e zonave të mbuluara nga dëbora, punonjësit e administratës të qeverive vendore dhe qëndrore, të FA-së dhe drejtorive të rrugëve, kompanive private, emergjencave, të rezervave të shtetit, të cilat kanë ndërmarrë, kanë organizuar një ndër operacionet më masive në historinë e vendit për të përballuar me sukses pasojat e një situate dëbore masive në më shumë se gysmën e territorit të vendit.

“Po përballohen me sukses pasojat e një situate dëbore masive, në më shumë se gjysmën e territorit të vendit, borë e cila  ka paralizuar trafikun në vende të mëdha dhe të fuqishme, por mbi të gjitha ka shkaktuar mbi 620 viktima në të gjithë botën”, tha Berisha.

Sipas Kryeministrit, sot ka qenë një ditë më e qetë se dje.

“Kam ndjekur gjatë ditës në mënyrë konstante operacionet e kryera në zonën e fatkeqësisë natyrore nga Korça në Vermosh. Anëtarët e komitetit kanë qenë sot gjatë gjithë ditës në krye të detyrës, në qarqe me probleme. Qëllimi i parë dhe më kryesor është shpëtimi i jetëve njerëzore, ky është objektivi ynë i parë dhe më madhor.Vetëm sot me helikopterët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe mjete të tjera ajrore janë transportuar një numër jo i vogël të sëmurësh, mbi 10, janë shpëtuar jetë të kërcënuara”, tha Berisha.

Kryeministri Berisha gjeti rastin të ngushëllojë familjarët e viktimës së shënuar në orët e pasdites në Pukë, ndërsa tha se shkak për vdekjen e tij është bërë një sëmundje kardiake kronike.

“Sot gjatë transportit të tij në spital ka ndërruar jetë një qytetar që vuante nga një sëmundje kardiake kronike. U bë gjithçka për ta ndihmuar, por sëmundja kronike e tij ishte shumë e avancuar”, deklaroi Berisha.

Kryeministri vlerësoi si objektin e dytë madhor të komitetin e emergjencave hapjen e rrugëve në komunat e bllokuara. Sipas kryeministrit në këtë aksion janë angazhuar qindra mjete të drejtorisë së rrugë, forca të shumta të ushtrisë dhe kompani të ndryshme private.

“Janë bërë përpjekje të mëdha për hapjen e rrugëve kombëtare. Është siguruar një kalueshmëri më e mirë në Rrugën e Kombit. Është ecur sot në aksin Bajram Curri-Fier ku kishin rënë tre ortekë. Është punuar intensivisht në aksin Kukës Peshkopi në të dy drejtimet. Po punohet me intensitet në aksin Pukë-Fushë Arrëz. Po punohet në drejtim të Qafë Malit ku trashësia e borës është e madhe. Shala, Dukagjini, Kelmendi, Lekbibaj, Valbona dhe Komuna të tjera të veriut dhe verilindjes janë të bllokuara.

“Në këtë përpjekje janë të angazhuara me qindra mjete të drejtorisë së rrugëve dhe dhjetra kompanive private e forcave të armatosura. Dy ditët që vijnë shpresojmë të jenë si e sotmja që të na japin mundësi të një kalueshmërie më të plotë në këto zona.

Ministria e Shëndetësisë sot është marrë intensivisht me urgjencën mjekësore dhe u është përgjigjur thirrje nga do që kanë ardhur. Ministria ka përgatitur paketat me medikamente për ti shpërndarë nesër në të gjitha qendrat shëndetësore të komunave”, u shpreh Berisha.

Kryeministri iu rikujtoi banorëve se dëbora mbi çatitë e shtëpive të tyre është rrezik për ta dhe fëmijët e tyre. “Duhet të bëjmë çdo gjë për sigurinë e tyre më të mirë dhe të pastrojnë çatitë. Ky proces ka nisur me seriozitetin më të madh dhe do vazhdojë me vendosmërinë më të madhe”, tha Kryeministri Berisha. (LajmeShqip.com)