Lajme Shqip Wednesday, 07 September 2011 11:47

Mitrovicë – Preken rezultatet e para pas vendosjes së masave të sigurisë në veri të Kosovës. Pompat e kriminelit të njohur me emrin Zvonko, e furnizuar deri më tani nga rrugët e kontrabandës prej Serbisë, ka mbetur e zbraztë. Aty vërehet mungesa e karburanteve.

Burime të Portalit LajmeShqip.com kanë bërë të ditur se tash e dy ditë pomat e kriminelit Zvonko nuk janë të furnizuara me derivate, pasi disa nga kamionët e bllokuar nga KFOR-i, duket të kenë qenë pikërisht të destinuara për furnizimin e këtyre dy pikave të karburantit.

Ndërkohë, nga zhvillimet tjera të fundit në veri, bëhet e ditur se mbrëmë vonë delegatët e të ashtuquajturit Kuvend i Bashkësive të komunave veriore të Kosovës, kanë mbajtur një takim të jashtëzakonshëm në veri të Mitrovicës, në të cilin kanë kërkuar nga Kuvendi i Serbisë që të deklarohet rreth marrëveshjeve të arritura në Bruksel për vulat e doganave dhe diploma.

Në konkluzionet që janë miratuar nga ky takim, e ashtuquajtura Bashkësia e Komunave Veriore të Kosovës, e cila nga institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare cilësohet si ilegale, nënvizoi se pranimi i vulave të doganave dhe diplomave nga ana e Borko Stefanoviqit është i barabartë me tradhti.

Kjo Bashkësi, deklaratën e fundit të ministrit serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, në të cilën ai propozon që serbët t’i paguajnë doganë Qeverisë së Kosovës dhe që nga një pjesë e këtyre të hyrave të përfitojnë komunat veriore, e konsideron gjithashtu absolutisht të papranueshme.

“Nga Kuvendi i Serbisë kërkohet që urgjentisht të deklarohet rreth marrëveshjes të arritur më 2 shtator në Bruksel, të cilën e ka nënshkruar Borko Stefanoviq”, thuhet në konkluzione.

Ndërrimin e shefit të delegacionti serb në bisedime Borko Stefanoviq ditë më parë e kanë kërkuar edhe të ashtuquajturit kryetarë të komunave paralele Zveçan, Mitrovicë dhe Zubin Potok. Ata thanë se “me marrëveshjet që ka arritur me Prishtinën, ai u ka sjellë serbëve të Kosovës dëm më të madh se sa e gjithë bashkësia ndërkombëtare gjatë 12 vjetëve”. (LajmeShqip.com)