Lajme Shqip Wednesday, 31 August 2011 09:00

Mitrovicë (E PLOTËSUAR 20:57) – Zyrtarët e EULEX-it e kanë përmbyllur ditën e sotme veç me konfirmimin se në vendet e bastisjes në veri të Kosovës, nga aksioni i EULEX-it, KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, janë gjetur prova të krimit, armë, por jo edhe të kërkuarit.

Gjatë ditës Portali LajmeShqip.com ka raportuar rregullisht për aksionin dhe ka sjellë foto ekskluzive që dëshmojnë numrin e madh të forcave të përfshira në këtë aksion, i cili nuk përfundoi me kapjen e kriminelëve të kërkuar të veriut.

****************************

Mitrovicë (16:00) – Portali LajmeShqip.com publikon foto ekskluzive gjate aksionit të sotëm të forcave të sigurisë në veri të Kosovës.

{fotogaleria}

 

{/fotogaleria}

*****************************

Mitrovicë (E PLOTËSUAR 15:17) – Edhe zyrtarët e EULEX-it kanë dhënë fakte shtesë rreth operacionit të sotëm në veri të Kosovës. Ata konfirmuar se gjatë operacionit në veri të Kosovës, në lidhje me hetimet e vrasjes së një polici kosovar, janë konfiskuar prova siç janë edhe armët. Aktualisht ekzistojnë gjashtë kallëzime penale për personat që kanë lidhje me vrasjen.

“Janë kryer bastisje në katër shtëpi private dhe me këtë rast janë konfiskuar prova në lidhje me hetimet, përfshirë edhe armë. Ne mund të konfirmojmë se ekzistojnë gjashtë kallëzime për arrestimin e personave, që dyshohet se janë të përfshirë në vrasjen, ndërsa operacione si ky i sotmi, mund të priten edhe në të ardhmen”, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësja e EULEX-it, Irina Gudeleviq.

Ajo tha se EULEX-i kërkon bashkëpunimin e komunitetit lokal për t’i sjellë para drejtësisë kryesit e krimeve të fundit në veri.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, njoftoi se operacioni është kryer, ndërkaq, situata është e qetë, dhe se rrugët janë të kalueshme.

Operacionin në Zupç afër Zubin Potokut në rrugën për në Bërnjak, e ka kryer njësia speciale e EULEX-it me mbështetjen e KFOR-it, ndërsa  hetimet për vrasjen e policit kosovar po kryhen nga EULEX-i dhe policia e Kosovës.

*****************************

Mitrovicë (15:12)- Aksioni i sotëm i përbashkët i KFOR-it, EULEX-it dhe Policisë së Kosovës, ka pasur për qëllim edhe bastisjen e shtëpisë së kryetarit të Zubin-Potokut, Slavisha Ristiq, në Jagenicë.

Sllavisha Ristiq është përfaqësues i Partisë Demokratike, që udhëhiqet nga Vojisllav Koshtunica dhe anëtar i Këshillit Nacional Serb në veri të Kosovës.

Kohë më parë, Portali LajmeShqip.com ka publikuar dokumentin konfidencial të NATO-s, në të cilin ka mbajtur evidenca të detajuara për të dhe veprimet e tij. Dokumentin e publikuar mund ta lexoni këtu.

Ndërkohë që Portali LajmeShqip.com ka publikuar sot më herët emrat e pesë kriminelëve të kërkuar në veri në aksionin e sotëm. Emrat mund ti lëxoni këtu.

****************************

Mitrovicë (PLOTËSUAR 12:35) – Zëdhënësi i policisë ka deklaruar për mediat se operacioni është udhëhequr nga EULEX-i, në bashkëpunim me kfor-in dhe me policinë e Kosovës në Zubin Potok.

Sipas tij, operacioni është kryer në mënyrë të qetë, pa protesta nga serbët.

Raportohet se të gjitha rrugët për veri të Kosoves kanë qenë të kalueshme, kurse është hequr edhe barrikada në Zupç dhe aty tash janë vendosur forcat e KFOR-it.

Ndërsa në Rudare vazhdon të qëndrojë ende barrikada,  ashtu e dobësuar.

Nënkryetari i Komunës së Zubin-Potokut, Agim Hasani, ka thënë se banorët e Çabrës janë të sigurt dhe “ne jemi të kenaqur me punën që janë duke e bërë forcat e rendit, për të kthyer sundimin e ligjit në këtë pjesë”. (LajmeShqip.com)

****************************

 

Mitrovicë (PLOTËSUAR 11:15) – Forca të mëdha të KFORit gjenden në rrugën e Zhabarit, në drejtim të Zubin-Potokut, ndërkohë që ka lëvizje të mëdha të forcave edhe në Koshtovë.

Ndërkohë, burime të Portalit LajmeShqip.com kanë bërë të ditur se forca të shumta të njësive speciale të Policisë së Kosovës dhe të KFOR-it kanë mësyer shtëpinë e kryetarit të Komunës së Zubin-Potokut, Sllavisha Ristiq, në fshatin Jagenicë.

Sot, siç ka raportuar më herët Portali LajmeShqip.com, në orët e para të mëngjesit KFOR-i dhe EULEX-i, kanë ndërmarrë një operacion të përbashkët për kapjen e të dyshuarve për vrasjen e policit të Kosovës, Heroit Enver Zymberi dhe të zjarrvënësve të pikës kufitare në Jarinjë.

****************************

Mitrovicë – EULEX-i dhe Policia e Kosovës kanë nisur sot në orët e para të mëngjesit një aksion në veri të Kosovës, në Zupç dhe Zubin-Potok.

Aksioni ka për qëllim arrestimin e personave përgjegjës për djegien e pikës kufitare në Jarinje dhe kapjen e autorëve të vrasjes së policit të Kosovës, Heroit Enver Zymberi.

Ky aksion ka nxitur reagimin dhe satanizimin e serbëve lokalë, të cilët e kanë bllokuar magjistralen në drejtim të Zubin-Potokut.

Deri në këto momente nuk ka të arrestuar, ndërkohë që operacioni po vazhdon, kurse barrikada e serbëve lokalë ka ndërprerë qarkullimin e automjeteve drejt Zubin-Potokut. (LajmeShqip.com)