Lajme Shqip Friday, 13 May 2011 15:52

Tiranë – “Është thelbësore që opozita të jetë aktive në veprimtarinë parlamentare, jo vetëm në debate, por edhe të marrë pjesë në votim”, tha sot Kryetarja e Komisionit të çështjeve europiane të Parlamentit të Holandës, Gerda Verburg, në takimin me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Sipas zyrës së shtypit pranë Kuvendit, Kryetarja e Kuvendit falënderoi deputetët holandezë për mbështetjen e rëndësishme që Holanda i ka dhënë Shqipërisë për heqjen e vizave, sikundër edhe përgjatë gjithë hapave drejt BE-së.

Biseda u ndal në veprimtarinë parlamentare, në reformat legjislative, pjesë e planit të veprimit për anëtarësim në BE, reformat antikorrupsion si dhe në reformat ekonomike.

Kryetarja e Kuvendit e njohu delegacionin me ligje thelbësore të votuara në parlament, pjesë e reformave të mëdha, ndërsa theksoi se është shumë e rëndësishme pjesëmarrja e opozitës në votime, veçanërisht për ligjet antikorrupsion, ku veçoi gjykatën administrative apo heqjen e imunitetit të deputetëve.

Duke iu përgjigjur interesit të delelegacionit, Kryetarja e Kuvendit foli mbi perspektivën europiane të Shqipërisë dhe hapat e bëra, ndërsa theksoi faktin se vokacioni europian i shqiptarëve është unik dhe përbën motorin e ecjes përpara.

Nga ana e tyre përfaqësuesit e delegacionit holandez shprehën angazhimin maksimal për thellimin e bashkëpunimit, jo vetëm në nivel parlamentar, por edhe si anëtarë të Bashkimit Europian për të kontribuar në vendimmarrje të rëndësishme për afrimin e Shqipërisë me BE-në.

Duke u ndalur në zgjedhjet e fundit lokale, Kryetarja e Kuvendit tha se këto zgjedhje ishin më të ndershmet, më korrektet, zgjedhjet me standardet më të larta të zhvilluara në Shqipëri.