Lajme Shqip Wednesday, 28 November 2012 17:32

Prishtinë (E plotësuar)- Këshilli Organizues për pritjen e kryetarit të AAK-së dhe ish-kryeministrit të Kosovës,  Ramush Haradinaj, njofton opinionin publik se, në kuadër të organizimeve të pritjes, të enjten, më 29 nëntor, do të bëhet përcjellja publike, e drejtpërdrejtë e seancës së marrjes së vendimit nga Tribunali i Hagës.

Përcjellja do të bëhet të enjten, përmes transmetimit nga një ekran gjigand, prej orës 09:00, që do të vendoset në Sheshin “Nënë Tereza”, në Prishtinë.
Njëkohësisht, organizime të transmetimeve direkte të seancës do të ketë edh në qendra të tjera, të vendit.
 Në Gjakovë, organizuar nga veteranët e luftës të UÇK-së, të enjten, prej orës 09:00, në qendër të qytetit do të organizohet gjithashtu transmetimi publc i seancës vendimmarrëse në Tribunalin e Hagës.
 Transmetime direkte, publike, në të njëjtën kohë do të ketë edhe në qendra të tjera të vendit, si në vendlindjen e z. Haradinaj, në Deçan, në Pejë etj.
 Këshilli organizues do t’ju njoftojë në vazhdimësi me detajet tjera të pritjes së z. Ramush Haradinaj, ka njoftuar Zyra e informacionit e AAK-së.

Nesër vendimi i Hagës për Ramushin 

Hagë, 28 nëntor – 11:23 – Aktgjykimi ndaj ish –komandantit të UÇK-së Ramush Haradinaj dhe dy ish –komandantëve të tjerë, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj, të akuzuar për krime lufte ndaj serbëve, do të shpallet të enjten, më 29 nëntor. 

Haradinaj më 3 prill 2008, pas tre vjetësh gjykimi, ishte shpallur i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, ndërsa më 21 korrik 2010 Haga kishte marrë vendimin që rastin Haradinaj ta rikthejë pjesërisht në gjykim. 

Haradinaj në fundin e vitit 2004 ishte zgjedhur kryeministër i Kosovës, por ai dha dorëheqje nga ky post në fillim të marsit 2005 dhe vullnetarisht shkoi në Tribunalin e Hagës.

Shpallja e aktgjykimit pritet të jepet në orën nëntë. (LajmeShqip.com)