Lajme Shqip Saturday, 22 June 2013 11:06

Prishtinë – Prokurori, i cili është duke hetuar “Grupin e Drenicës”, ka kërkuar që t’iu vazhdohet për shtatë të dyshimtëve edhe dy muaj paraburgimi dhe vendimi pritet të merret të dielën.

Maurizio Salustro ka paraqitur kërkesë te gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Mitrovicës për t’ua vazhduar paraburgimin edhe për së paku dy muaj Sylejman Selimit, Sami Lushtakut dhe të tjerëve. Lajmin KTV-së ia ka konfirmuar Tomë Gashi, avokat i Selimit.

“Për çudi, unë, si avokat i Sylejman Selimit, jam njoftuar nga zyrtarët e EULEX-it se vendimi do të merret të dielën, më 23 qershor. Por, ne, si mbrojtje, konsiderojmë se nuk ka pasur asnjë arsye për caktimin e paraburgimit dhe nuk ka asnjë arsye që kjo masë të vazhdohet”, ka thënë avokati Gash.

 Sylejman Selimi, Sami Lushtaku dhe pesë bashkëluftëtarë të tyre janë duke u hetuar për krime lufte nga Misioni Evropian për Sundim Ligji. Nga arresti shtëpiak, pas kërkesës së prokurorit Salustro, atyre u ishte caktuar masa e paraburgimit para afro një muaji. Kjo masë skadon të hënën, më 24 qershor.