Lajme Shqip Sunday, 02 June 2013 13:18

Tiranë – E perditshmja “Panorama” shkruan sot ne kryeartikullin e saj se Prokuroria e Tiranës duhet të hetojë ish-prokuroren e Përgjithshme Ina Rama, me akuzën e shpërdorimit te detyrës. Ky është vendimi i dhënë nga gjyqtari Altin Abdiu, më 18 prill 2013, i zbardhur së fundi. Padia është ngritur nga Bardhyl Shehu, prokuror për shumë vite në Kurbin, i shkarkuar nga Ina Rama dhe i pariemëruar edhe pas vendimeve të formës së prerë nga gjykatat për kthimin e tij në detyrë. Shehu dhe disa prokurorë të tjerë u emëruan në detyrat e mëparshme nga prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla pak kohë pas marrjes së detyrës nga ana e tij. 

Ai deklaroi se zbatoi vendimet e gjykatave, që i cilësonin të padrejta shkarkimet e prokurorëve nga Ina Rama. Sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës, përfundimi i Prokurorisë së Tiranës i datës 19 dhjetor 2012 se Ina Rama nuk ka kryer vepër penale, nuk qëndron. Gjykata thekson se ka disa elementë në veprimet e ish-kryeprokurores që duhet të hetohen edhe një herë nga Prokuroria e Tiranës. Konkretisht, gjykata kërkon hetim për moskthimin në punë të prokurorit Shehu nga viti 2011, kur fitoi gjyqin deri në 2013-n, kur vendimet e gjykatave u zbatuan nga kryeprokurori Adriatik Llalla.