Lajme Shqip Sunday, 13 November 2011 12:25

Ambasada Amerikane në Tiranë u ka dërguar një email urgjent dhe paralajmërues gjithë shtetasve amerikanë që jetojnë në Shqipëri.

Emaili u sugjeron qytetarëve amerikanë që jetojnë në Tiranë të mos frekuentojnë disa ambjente në kryeqytetin shqiptar, ku, sipas informacionit të kësaj ambasade, u rrezikohet jeta.

Në emailin konfidencial, një kopje të të cilit, Shekulli ka siguruar këto ditë, lokalizohen qartë dhe me detaje 4 zonat e rrezikshme, të cilat janë dy bar-kafe, një restorant dhe një qendër tregtare.

“…Ambasada e SHBA në Tiranë njofton shtetasit amerikanë se për shkak të shqetësimeve për  sigurinë, personelit të ambasadës së SHBA-së  iu ndaluar të shkojnë në vendet e mëposhtme në Tiranë, – thuhet në fillim të emailit ku më pas renditen dy bar-kafe, pranë një hoteli të njohur, një  restorant dhe një qendër tregtare. Për këtë të fundit emaili paralajmërues thotë që  “..mbetet subjekt i një kufizimi që ka qenë që prej vitit 2009”

“ Qytetarët amerikanë duhet t’i shmangin këto vende – thuhet më tej në emailin e Ambasadës Amerikane në Tiranë. Më pas aty jepen informacione lidhur me numrat e kontaktit dhe prezencën e ambasadës në rast rreziku.

Katër ambjentet e përmendura në email nuk ndodhen në periferi të Tiranës, por në zonat më të populluara dhe më me aktivitet të saj. Në email jepen edhe objekte të tjerë publikë afër tyre, si përshembull një hotel mjaft i frekuentuar.

Nuk është e qartë se çfarë informacionesh ka qeveria amerikane që ka ndërmarrë një hap të tillë në mbrojtje të shtetasve të vet në Shqipëri. Një burim i Shekullit pranë Shërbimit Informativ Shtetëror thotë se paralajmërimi me gjasa lidhet me aktivitetin e një grupi kriminal dhe se disa arrestime të bëra ditët e fundit kanë të bëjnë pikërisht me këtë situatë. Burimi nuk ka dhënë siguri për këtë version, por e ka bërë të qartë se qeveria shqiptare është gjithashtu në dijeni të plotë të këtij rreziku për rendin publik që lidhet me zonën që përfshin paralajmërimi amerikan.

Emaili mban datën 14 tetor 2011 dhe ka statusin UNCLASSIFIED. Është dërguar nga Zyra e Shërbimeve për Qytetarët Amerikanë e Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.