Lajme Shqip Tuesday, 15 November 2011 10:57

Prishtinë- Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Vestervelle, është shprehur se për Gjermaninë integriteti territorial i Kosovës nuk është në dyshim

“Për ne integriteti territorial i Kosovës nuk vihet në pyetje”, tha Vestervelle, pas takimit të mbrëmshëm të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, raporton radio “Evropa e Lirë”.

Ai më tej theksoi se, rrjedhimisht, me rastin e vendimit për dhënien e statusit apo jo të vendit kandidat për Serbinë, “do ta shqyrtojmë edhe këtë çështje” dhe shtoi se “prej atyre që dëshirojnë të hyjnë në BE presim bashkëpunim, e jo konfrontim”.

Sipas ministrit të Jashtëm gjerman, edhe vendet anëtare të BE-së, që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, nuk e venë në dyshim integritetin territorial të Kosovës dhe se edhe ato pajtohen “se konfliktet nuk mund të zgjidhen me përleshje, por me bashkëpunim”.

“Unë kam qenë atje dhe e kam parë situatën”, tha ministri i Jashtëm gjerman dhe shtoi se “dhunën nuk guxojnë ta mbështesin ata që dëshirojnë BE”.

Sa i përketë Serbisë, zoti Vestervelle ka theksuar se në mesin e kushteve për integrim në BE, janë edhe marrëdhëniet e mira fqinjësore me Kosovën.