Lajme Shqip Tuesday, 18 August 2015 13:23

Si pasojë e një rrahje mes dy të rinjsh në fshatin Aqarevë të Skenderajt njëri nga ta ka mbetur i vdekur.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka thënë përKosovaLive se viktima është i moshës 17 vjeçare, ndërsa ka shtuar se në këtë rrahje nuk janë përdorur armë.

“Sa i përket rastit, vepra penale ka pasur elemente të një zënke të rastit. Të përfshirë kanë qenë dy të rinj të moshës 16-17 vjeçar. Pas një rrahje njëri nga ta është përplasur në tokë dhe dyshohet se ka rënë pa shenja jete.

Viktima është 17 vjeçar ndërsa i dyshimti rreth 16, rrethana tjera nuk kemi tash mirëpo po presim ekspertizën mjeko-ligjore. Ajo që dihet është se nuk ka elemente të përdorimit të armëve apo diçka tjetër, mirëpo detajisht nuk mund të japim ndonjë të dhënë përfundimtare. Cilësohet si rast vrasje, kurse detajet tjera i përcakton mjekësia ligjore”, ka thanë ai.

Sipas tij, i dyshuari pas identifikimit është arrestuar dhe është në ndalim policor për 24 orë. Rasti pritet shkojë në procedurë, ndërsa trupi i viktimës ka shkuar për obduksion mjeko-ligjor.