Lajme Shqip Wednesday, 30 November 2011 14:36

 Tiranë- E shtuna do të jetë zi kombëtare për Shqipërinë, në nder të Leka Zogut të Parë, pretendentin për fronin mbretëror. Kështu ka deklaruar kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave, ku e quajti vdekjen e Leka Zogut i një humbje të madhe për vendin.  Berisha premtoi mbajtjen e ceremonive shtetërore për përcjelljen e Leka Zogut I, duke thënë se funerali do të kryhet me atributet e një mbreti jo në detyrë.

 “ Leka Zogu I u largua foshnjë nga vendi, ai u rrit jashtë vendit me dashuri për kombin”-tha kryeministri i Shqipërisë gjatë mbledhjes. Sipas tij ndalimi i kthimit të mbretit Zog në Shqipëri ishte arbitrar. Berisha konfirmoi se për këtë qëllim do të krijohet një komision shtetëror i kryesuar nga Zv.kryeministri dhe ministri i jashtëm Edmond Haxhinasto ku do të jenë edhe përfaqësues të oborrit mbretëror.

“Dita e shtunë do të jetë zi kombëtare në të gjithë spektrin e ditës së zisë së nivelit mbretëror”, tha Berisha. (LajmeShqip.com)