Lajme Shqip Wednesday, 03 July 2013 09:55

Prishtinë – (E plotësuar) Vendimi për rastin Kleçka pritet të merret ka fillimi i shtatorit të këtij viti.

Kështu ka deklaruar gjatë seancës së sotme kryetari i Trupit Gjykues për Rastin Kleçka, Malcolm Simons. Është ky muaj kur do të mbahet fjala përfundimtare për këtë rast.

Në seancën e sotme është paraparë që të dëgjohen dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtjes. Por kjo nuk ka ndodhur, pasi avokatët kanë hequr dorë nga kjo kërkesë, raporton Express. 

Për këtë arsye seanca ka vazhduar me disa çështje teknike ndër të cilat u fol edhe për raportin psikologjik të të ndjerit Agim Zogaj, mundësinë e dhënies së dëshmive të dy zyrtarëve të forenzikës që kanë bërë autopsinë e trupave të zhvarrosur si dhe mundësia e heqjes së masës së arrestit shtëpiak të të pandehurve në rastin Kleçka.

Trupi gjykues ka propozuar që me datën 16 të dëgjojë dëshminë e Sesilia Kropa, arkeologe e forenzikës e cila ka qenë pjesëmarrëse në zhvarrosjen e mbetjeve mortore, si dhe dëshminë e Marek Gasior patologut, i cili ka bërë raportet e autopsisë së këtyre trupave që janë zhvarrosur. “Plani është që ai të dorëzojë një raport për autopsinë, dhe për të kemi pyetje shumë të shkurtra”, ka thënë Simons, kryetar i trupit gjykues.

Prokurori Mauricio Salustro ka kërkuar që të dorëzohet edhe një raport shtesë i vlerësimeve psikiatrike si pjesë e provave të cilin do tija bashkëngjitin raportit të vjetër e tija dorëzojnë mbrojtjes. Mirëpo kjo gjë nuk është pranuar nga mbrojtja e të pandehurve.

Fatmir Limaj ka kërkuar që nëse kjo gjë pranohet nga Trupi Gjykues atëherë edhe psikiatri që e ka bërë raportin e parë të të ndjerit duhet të dëgjohet duke dhënë dëshminë para gjykatës.

“Pasi t’i shohim raportet ne do të donim të dëgjonim edhe dëshminë e mjekëve që kanë mjekuar Agim Zogajn”, ka thënë Limaj.

Derisa Artan Qerkini, avokati i Besim Shurdhajt ka kërkuar nga trupi gjykues që edhe njëherë të vlerësoj vendimin për arrest shtëpiak të të pandehurve.

Ai ka kërkuar të di nëse është e nevojshme të vazhdohet ose jo masa e arrestit dhe pasi mbrojtja ka hequr dorë nga dëgjimi i dëshmive të dëshmitarëve.

I vetmi Taulant Hoda, avokat i Shaban Shalës ka kërkuar që klient t’i vazhdohet arresti shtëpiak.

“Klienti i imë jeton në një zonë të thellë rurale. Nëse arresti shtëpiak vazhdohet me paraqitje në stacion policor klienti i imë nuk ka stacion policor afër andaj ne i preferojnë arrest shtëpiak”.

Seanca e radhës mbahet me 16 korrik ku dëshminë e tyre pritet ta japin një arkeolog dhe një patolog i forenzikës së EULEX-it të cilët kanë bërë zhvarrosjen e mbetjeve mortore pas luftës.

 

Vazhdon seanca në rastin “Kleçka”

 

Prishtinë – Sot do të vazhdoj seanca gjyqësore në rastin “Kleçka”, në të cilën do të dëshmoj dëshmitari i propozuar nga i akuzuari Naser Krasniqi.

Ndërsa, mbrojtja e Fatmir Limajt nuk e ka parë të arsyeshme të propozoj dëshmitar pasi sipas avokatit mbrojtës të Limajt, Tomë Gashi gjithçka është shqyrtuar dhe në këtë rast vendimi i drejt dhe i ligjshëm është lirimi i Limajt dhe bashkëluftëtarëve të tij.

Gashi ka thënë për Kosovapress se sot në ora 10;00 do të vazhdoj seanca për rastin “Kleçka” me dëshmitarin e propozuar nga Naser Krasniqi.

“Sot vazhdon shqyrtimi në ora 10:00, ku do të merret në pyetje dëshmitari i cili është propozuar nga ana e Naser Krasniqit. Po ashtu do të merret në pyetje me 4 korrik dhe me 10 korrik dëshmitarët e propozuar nga Naser Krasniqi, ndërsa mbrojtja e Fatmir Limajt deri me tash ende nuk ka propozuar asnjë dëshmitar të mbrojtjes duke konsideruar se rasti është shqyrtuar mjaftë dhe të gjitha provat dërgojnë në një drejtim që është lirimi i Fatmir Limajt dhe bashkëluftëtarëve të tij, dhe me provat e njëjta që janë shqyrtuar dy vite më herët duhet të merret vendimi vetëm, i drejt dhe i ligjshëm që është dhënë edhe në maj të vitit të kaluar e që do të duhet të ishte aktgjykimi lirues për Limajn dhe bashkëluftëtarët tjerë”, ka thënë Gashi.

Ai ka shtuar se ata kanë të drejta ligjore dhe nëse eventualisht do të ketë nevojë ata mund të propozojnë dëshmitar, sa i përket dispozitave ligjore, mirëpo sipas tij, deri me tash kanë konsideruar se gjithçka është shqyrtuar dhe gjithçka dërgon në një dërgim që është lirimi i Fatmir Limajt.

Ndërsa, sa i përket masës së arrestit shtëpiak, Gashi ka thënë se është duke u bërë një lojë lidhur me masat që po i caktohen Limajt, por pret që sot kryetari i trupit gjykues ta sheh të udhës që ta ndërpres masën e arrestit shtëpiak.