Lajme Shqip Saturday, 13 October 2012 12:35

TIRANË (PLOTESUAR 13 TETOR, 19:30)- Ish-të burgosurit politikë hynë sot në ditën e 22-të të grevës së urisë, e cila po zhvillohet në dy çadra të improvizuara në zonën e ‘Komunës së Parisit’. Kjo ditë u bë edhe më e vështirë pas vendimit ekstrem që morën pasditen e djeshme, për të mos konsumuar as ujin. Vendimi i tyre erdhi si pasojë e ndërhyrjes së policisë në tendë duke i larguar pijet. 

Pas 24-orë nga vendimi i shpalljes së grevës së vdekjes, pasi ndërprenë uji, 12 grevistët iu rikthyen konsumimit të ujit, pasi sic thanë ata, e kanë të nevojshmë për ilaçet që konsumojnë.  Grevistët kërkojnë dëmshpërblim për vitet e burgut, kryer në kohën e diktaturës. Para pak ditësh 2 prej grevistëve ndërmorën akt ekstrem, tentativë vetëflijimi me vetëdjegie publike.

Grevistët theksojnë se greva nuk do tëndalet derisa në momentin që qeveria do të plotësojë kushtet e tyre, që sic ripërsërisin ata, nuk janë politike.

Skënder Tufa, koordinatori i kësaj greve në një prononcim të dhënë sot për News 24 bëri apel që greva t’i kthehet normalitetit. Sipas tij, policia nuk lejon kontaktin me grevistët, ndërsa gjendja e tyre paraqitet edhe më e rëndë, pas vendimit për të mos konsumuar as ujë.

“Ndërhyrja e BE dhe SHBA na entuziazmoi dje për problemin, edhe Presidenti Nishani mbështeti grevistët”, tha Tufa ndërsa shtoi se pikërisht dje, policia ndërhyri duke mos lejuar lëngjet brenda grevës dhe kontaktin me grevistët. “Qeveria hesht, gjendja e grevistëve është rënduar. Bëjmë apel që të kthehet greva në normalitet. Të vazhdojmë bisedimet, të zgjidhen problemet tona”, theksoi Tufa.

ASLLAN PATRIOTI RIKTHEHET SI KOORDINATOR I GREVËS SË URISË
Ora 18:45-Asllan Patrioti kthen mëndje, rikthehet koordinator i grevës së urisë së ish-të burgosurve politikë. Së bashku me Skënder Tufën, Asllani tha se do të vijojnë koordinimin e grevës së urisë. “Ka pasur keqkuptime, nga ana e tyre, nga ana ime, për shkak të lodhjes, mosngrënies. Do vijoj së bashku me z.Tufa të koordinojmë grevën e urisë”.

LAMAJ: ASLLAN PATRIOTI U NXITUA, LODHJA BËN TË VETËN
Ora 17:55-Pas deklaratës së Asllan Patriotit, reagoi Fatmir Lamaj që theksoi se Patrioti dhe Skënder Tufa mbeten koordinatorë të grevës së urisë së ish-të burgosurve politike. “Kemi 22 ditë në grevë, pa bukë, dje ndalëm ujin. Jemi lodhur, ndaj Asllani u nxitua. Etja dhe uria bën të vetën. Ata mbeten shokët tanë”.

GREVISTI SPAHIU: GREVA VAZHDON, NUK SHESIM GJAKUN E GJERGJ NDRECËS DHE LIRAKUT
Ora 17:50-Ndërkohë grevisti Ramazan Spahiu tha se greva do të vazhdojë pasi ish-të burgosurit politikë sakrifikuan gjakun për qëllimet e tyre ekonomike. “Greva jonë do të vazhdojë, nuk shesim gjakun e shokëve tanë, Lirak e Gjergj Ndreca që me aktin e tyre bënë një botë të tërë të reagojnë. Nuk tërhiqemi, sepse në kohën tonë u vranë 5 mijë burra, dhe një prej tyre vlente sa vlen sot një Shqipëri”.

ASLLAN PATRIOTI TËRHIQET NGA GREVA SI KOORDINATOR
Ora 17:40-Duket se mes të burgosurve politikë ka pasur keqkuptime, madje dhe grindje. Këtë e la të kuptohej një prej grevistëve, Asllan Patrioti që deklaroi sot pasdite se tërhiqet nga greva. Deklaratat e tij ishin të ashpra kundrejt shokëve të tij të grevës.
“Unë kam qenë një person që kam mbajtur peshën në kurriz të kësaj greve. Jam dorëheqjen si koordinator i grevës së urisë. Deklaratat e bëra aty e brenda se unë kam bërë deklarata politike dhe ekonomike t’i sqarojnë ata brenda që janë nëpër cadra. Që e di unë si kanë erdhur dhe ato cadra atje”.

GREVISTI ARIF BEU DEL NGA GREVA TË VIZITOJË VAJZËN NË SPITAL
Ora 17:00-Grevisti Arif Beu del nga greva: Kam vajzën sëmurë. Grevisti Arif Beu doli para mediave dhe tha se do të dalë nga greva e urisë për të vizituar vajzën e sëmurë.
“Nuk doja të dilja, por shokët më këmbëngulën”, tha Beu duke shtuar se do të rifutet sërish në grevën e urisë.

LAMAJ: NE GREVE DERI SA TE ARRIHET QELLIMI
Ora 18:45-Ish-i denuari politik Fatmir Lamaj theksoi se disa prej grevistëve, Llazi Koçi, Ramazan Spahia janë në gjendje të rëndë dhe nevojitet të dërgohen në spital.
“Ata refuzojnë të shkojnë në spital. Sepse po shkuan atje, nuk i lejojnë të kthehen. Në këto kushte kanë vendosur të qëndrojnë në grevën e urisë”, tha Lamaj.

Ish-i dënuari politik, Lamaj i bëri thirrje qeverisë të mos bëjë të paditurin, por të reagojë për gjendjen e tyre. Më tej ai shtoi se greva nuk do të ndalet.
Greva jonë do të vijojë deri momentin që do t’i arrihet qëllimi për të cilën u nis”.
Lamaj ripërsëriti se greva e tyre nuk ka asnjë motiv politik. “Duam të plotësohen kërkesat tona, kaq”.

GREVISTËT RINISIN UJIN
Ora 16:40-Ish-të burgosurit politikë që ndodhen në ditën e 22-të të grevës së urisë kanë rifilluar ujin. 24 orë pasi kishin shpallur grevën e vdekjes duke refuzuar dhe ujin, të vetmin që konsumonin, grevistët sot thanë se do të rinisin të pinë ujë. Shkak, për të rinisur ujin janë bërë ilaçet që ata duhet të marrin për arsye të sëmundjeve që vuajnë. Lamaj tha për mediat se disa prej grevistëve kanë pirë ujë për shkak të ilaçeve që kanë marrë. ‘për shkak të tyre rifilluan ujin”.

KRYETARI I KUVENDIT TË BUJANOVCIT, JONUZ MUSLIU, VIZITON GREVISTËT
Ora 14:46- Kryetari i Kuvendit të Bujanovcit, Jonuz Musliu, së bashku me dy përfaqësues të tjerë ka vizituar sot grevistët. Në një prononcim për mediat, ai I bën apel qeverisë shqiptare të plotësojë kërkesat e tyre. “Apel tek qeveria qe ti plotësojë kërkesa e tyre. Kërkoj që të gjendjet një gjuhë e përbashkët me ta”, tha ai.

Po sot mësohet se grevistëve iu është lejuar edhe vizita e familjarëve, ndërkohë që greva monitorohet me masa të rrepta policie.

GAZETARËT NESËR PROTESTË PARA KRYEMINISTRISË
OrA 14:20- Mësohet se një grup gazetarësh do të protestojnë nesër para kryeministrisë, në shenjë proteste për mos reagimin ndaj kërkesave të ish-të burgosurve politikë. Ata kanë kërkuar të që qytetarët t’i mbështesin në protestën e tyre.

ISH-TË BURGOSURIT: KEMI 24 ORË PA UJË, DO VAZHDOJMË GREVËN
Ora 14:00- Ish-të burgosurit në grevë urie me anë të një deklarate për mediat sqarojnë se kanë 24 orë pa konsumuar ujë, ndërsa shprehen të vendosur se do t’i shkojnë deri në fund grevës së urisë. “Prej 24 orësh nuk pimë ujë në grevë. Nuk dalim nga greva pa u plotësuar kërkesat tona ekonomike”, thuhet në deklaratën e tyre. 

“Edhe 24 vjet këtu do rrimë, pa ardhur qeveria këtu. Të vijë këtu të ulet me ne e të na plotësojë kushtet”, tha një grevist. “Kërkesat tona janë të pastra ekonomike. Cdo deklaratë për tya politizuar grevën nuk është gjë tjetër vecse shmangje e kërkesave tona”, tha një tjetër grevist.

3 GREVISTË NË GJENDJE TË RËNDË
Ora 11:00- Kordinatori i grevës së urisë, Skënder Tufa bën me dije për Neës 24 se 3 nga grevistët janë në gjendje të rëndë shëndetësore, pas vendimit ekstrem për të ndërprerë edhe ujin.

Grevistët në gjendje të rëndë janë Llazi Koçi, Besim Valteri dhe Fatmir Lloshi. “Mos prisni që të vdesin, ndërhyni menjëherë”, ka apeluar ai.

GREVA
Ish- të përndjekurit politikë nisën mbrëmjen e 22 shtatorit në dy çadra pranë zonës “Komuna e Parisit” një grevë urie, e cila pritet të zgjasë, për shkak se Qeveria nuk mbajti premtimet për dëmshpërblimin e viteve të tyre të burgut. Sipas ish- të përndjekurve politikë, gjendja aktuale e tyre është tepër e rëndë, ndërsa dëmshpërblimi u shty për një afat të pacaktuar. Ata theksojnë se gjithçka ndodhi për shkak të tjetërsimit të ligjeve që Qeveria bëri në kundërshtim me Kushtetutën.(LajmeShqip.com)