Lajme Shqip Thursday, 02 February 2012 09:00

Tiranë – Në  krejt vendin vazhdon moti i ftohtë dhe në zonat veriore, verilindore dhe  në jug te vendit si dhe në ato malore reshjet e dëborës kanë vështirësuar jetën normale të banoreve.  Disa prej akseve rrugore në këto zona janë bllokuar për shkak se trashësia e dëborës ka arritur nga 50 deri në 1 metër. Sipas korrespondentëve, mbrëmja e së mërkurës është shoqëruar me reshje të dendura dëbore në qytetin e Shkodrës dhe zonat përreth. qytetit. Ndërkohë, ne komunat malore të qarkut, rikthimi i reshjeve të dëborës, ka ndikuar në përkeqësimin e situatës.

Burime pranë shtabit të emergjencës civile në prefekturën e Shkodrës, bëjnë të ditur se si rezultat i reshjeve të dendura si dhe uljes së temperaturave, janë bllokuar sërishmi zonat e thella malore të Vermoshit në rrethin e Malësisë së Madhe, të Dukagjinit në rrethin e Shkodrës si dhe të Iballës në rrethin e Pukës. Ndërkohë, janë vënë në vështirësi serioze edhe akset rrugore nacionale. Strukturat e shtabit të emergjencës janë shpërndarë të gjithë në terren duke marrë masat e duhura për marrjen nën kontroll të situatës.

Situata e vështirë paraqitet në zonën e Peshkopisë, ku vazhdon te jetë e bllokuar Qafa e Buallit në hyrje të Bulqizës dhe janë izoluar shumë komuna malore.

Dëbora në qytetin e Kukësit nuk ka shkaktuar ndonjë shqetësim për banorët, ndërsa në zonat e thella situata mund të vështirësohet ndjeshëm gjatë ditës së sotme, si ne Shishtavec, ku trashësia e dëborës ende pa nisur reshjet është mbi një metër.  Ndërkohë, reshjet e dëborës pritet të riizolojnë disa prej komunave të thella të zonës verilindore, kjo edhe për faktin se veç dëborës janë edhe shtresat e akullit që vështirësojnë lëvizjen e mjeteve në këto zona.

Banorët e rrethit të Hasit thuajse janë izoluar nga pjesa tjetër e vendit si rrjedhojë e reshjeve të dendura të dëborës. Këtë e bën të ditur nënprefekti i rrethit të Hasit, Ismet Jaku. “Trashësia e dëborës në qytetin e Krumës arrin në mbi 50 centimetra, ndërsa në zonat rurale mbi një metër. Duke përjashtuar fshatrat që ndodhen pranë akseve rrugore Krumë – Kukës dhe Krumë – Qafë Prush, ku lëvizja e mjeteve është njëkalimshe dhe i lidhin me qytetin e Krumës, fshatrat e tjerë janë krejtësisht të izoluar”, thotë Jaku.

Tashmë janë krejtësisht të izoluar 25 fshatra nga 32 fshatra të rrethit të Hasit. “Pavarësisht situatës së rënduar deri tani nuk kemi patur asnjë rast emergjent, ndonëse janë marrë të gjitha masat për përballimin e çdo lloj situate”, thotë Jaku. Sipas tij, për këtë qëllim është vendosur një lidhje e përhershme me telefon edhe me fshatrat tërësisht të izoluar.
Ndërkohë, furnizimi me energji elektrike vazhdon normalisht në të gjitha fshatrat e izoluar, gjë që lehtëson përballimin e kësaj situatë të vështirë si rrjedhojë e reshjeve të dendura të dëborës.

Tre rrethet e qarkut të Gjirokastrës, Përmet, Tepelenë dhe Gjirokastër, janë përfshirë pas mesditës të mërkurës edhe sot paradite nga reshjet e dendura të dëborës. Burime zyrtare nga Prefektura e qarkut të Gjirokastrës, thanë se, reshjet e dëborës që parashikohet të mbizotërojnë për disa ditë, mund të bllokojnë qarkullimin në disa fshatra në jug të vendit, që ndodhen gjeografikisht mbi 500 metra mbi nivelin e detit. “Falë paralajmërimit të sinoptikanëve, prefektura e Gjirokastrës ka ngritur grupin e emergjencës për të ndërhyrë në rast nevoje”, shprehet burimet zyrtare nga prefektura. Ndërkohë, mësohet se në aksin rrugor kombëtar Jorgucat – Qafa e Muzinës, me gjatës 15 km, qarkullimi është vështirësuar, pasi në këtë segment rrugor reshjet e dëborës janë me intensitet të lartë.

“Deri tani nuk është shënuar asnjë aksident rrugor, kjo pas shtimit të punonjësve të qarkullimit rrugor, të cilët vazhdimisht orientojnë drejtuesit e automjeteve të ecin me zinxhirë”, tha Gentian Mullai, zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër.

Reshje të dendura dëbore kanë nisur të bien në të gjithë qarkun e Elbasanit. Dëbora qe ka nisur të bjerë me intensitet të lartë ka mbuluar çatitë e qytetit, ndërsa në zonat malore trashësia ka arritur më shumë se 30 centimetra.

Shefi i shtabit të Emergjencave Civili, Mustafa Arapi, tha se ” aktualisht të gjitha akset rrugore janë të kalueshme, ndërsa problem për drejtuesit e mjeteve mbetet aksi Elbasan – Qafë Krrabë, si edhe Librazhd – Qafë Thanë. Në këto akse drejtuesit duhet të ecin me shpejtësi minimale, për evitimin e ndonjë aksidenti si pasojë e ngrirjes së dëborës në rrugë”.