Lajme Shqip Monday, 20 August 2012 14:48

Prishtinë – Vazhdojnë me orë të tëra pritjet e gjata në pikëkalimin kufitar në Merdare në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Policia raporton se kolonat dhe pritjet e gjata me orë të tëra, janë krijuar në dalje të pikë kalimit kufitar nga Kosova në Serbi dhe se e tërë kjo ka ardhur si pasojë e neglizhencës së autoriteteve serbe.

Departamenti i Policisë Kufitare, informon se edhe sot në pikëkalimin kufitar Merdare, vazhdojnë pritjet e gjata dhe krijimi i kolonave në dalje për në Serbi. Në një komunikatë të Policisë së Kosovës, thuhet se deri në orën 12:00 të ditës së sotme pritjet janë duke u bërë me orë të tëra dhe në dalje të pikëkalimit kufitar në Merdare, nga Kosova për në Serbi kolonat janë të gjata diku nga 400 deri në 600 metra, me pritje që zgjasin me nga 3-4 orë, ndërsa në hyrje për në Republikën e Kosovës, sipas informacioneve që posedon PK-ja, nuk ka pritje të gjata.

Në komunikatë po ashtu thuhet se në bazë të informacioneve, jo zyrtare të pranuara nga qytetarët, arsyeja për këtë situatë të krijuar mbetet e njëjtë, e që është puna e ngadalshme dhe neglizhenca e autoriteteve serbe.

Ndërsa, policia njofton se në pikë kalimet tjera kufitare, qarkullimi është duke u zhvilluar normalisht pa pritje të gjata. Policia, po ashtu, u sugjeron qytetarëve që t’i shfrytëzojnë për qarkullim pikëkalimet tjera kufitare dhe t’i shmangen pritjeve në Merdare. (LajmeShqip.com)