Lajme Shqip Thursday, 15 November 2012 18:28

Prishtinë – “Siç e dimë, tash e 11 vite përfundoi lufta e UÇPMB-së, e cila luftë u bë për çlirimin e trojeve etnike shqiptare, si :Bujanoci, Medvexha e Presheva të cilat mbetën padrejtësisht nën thundrën e Serbisë dhe mbetën të pushtuara.

Misioni luftarako-çlirimtar i UÇPMB-së ishte një vazhdimësi e misionit të çlirimit të atdheut, të cilin mision e nisën liridashësit tanë para shumë vitesh, e që u konkretizua me luftën çlirimtare të UÇK-së. Të gjithë e dimë se edhe gjatë viteve të shtatëdhjeta të gjitha Organizatat që kanë vepruar në ilegalitet, e gjeri tek formimi i njësiteve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur kemi bërë betimin, e kemi bërë për çlirimin e të gjitha trojeve etnike shqiptare. Atëherë shtrohet pyetja: pse sot të kemi këso ndarje në njohjen apo mos njohjen e librezave të asaj apo kësaj ushtri, kur dihet se që të gjitha ishin çlirimtarë”, thuhet në letër.

“Pas çlirimit të Kosovës, një pjesë e madhe e ushtarëve dhe pjesëtarëve të luftës së UÇK-së vazhduan misionin e tyre për çlirimin e atdheut: pra, në Kosovën Lindore, për çlirimin e këtyre tri komunave shqiptare. Disa nga të rënët si dëshmorë janë të lindur dhe të rritur në Kosovë, por tani nuk u njihet e drejta të jenë dëshmorë të Kombit me të vetmin ‘faj’ se kanë rënë në luftën e UÇPMB-së”.

“Vatra” shkruan se pjesa dërmuese e luftëtarëve të UÇPMB-së u detyruan të largohen për në Kosovë, pasi që regjimi serb i pengoi në realizimin e një jete normale dhe të sigurt, e herë-herë shkoi gjerë në arrestimin e torturimin e tyre (siç është rasti i Shemsi Nuhiut, Grupit të Gjilanit apo së fundi grupi i Bujanocit).

“Kjo dëshmon se regjimi serb këta çlirimtarë i ka në shënjestër të përhershëm, dhe për ta në Kosovën Lindore nuk ka siguri, madje iu është pamundësuar jeta normale. Duke pas parasysh të gjitha këto të dhëna që u cekën më lartë, ne kërkojmë nga institucionet përgjegjëse të Kosovës, e sidomos nga Komisioni për përpunimin e Ligjit të Veteranëve të Luftës, të merren parasysh kërkesat e të përfshihen në ligj edhe këto kategori që ishin pjesë e UÇPMB-së”.

“Vatra” kërkon që ish pjesëtarëve të luftës së UÇPMB-së t’u njihet statusi i dëshmorëve, i familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të kësaj lufte, “pasi që këto kategori kanë mbetur jetime dhe nuk përkujdeset askush për to”.

“Ne shpresojmë se duke i barazuar me ligj të gjitha kategoritë e luftërave për çlirim Kombëtar, drejtësia do të bie në vend. Fundja, dëshmorët nuk i pranojnë kufijtë artificial që i kanë vendosur të huajt”! (LajmeShqip.com)