Lajme Shqip Monday, 27 August 2012 13:31

Prishtinë – Malet e Koretnikut, në vargmalet e Sharrit, janë përfshirë nga flakë të mëdha.

Gjendja në Komunën e Dragashit vazhdon të jetë e rëndë. Kryetari i komunës, Salim Jenuzi, tha për Radio Kosovën, se kushtet atmosferike po vështirësojnë ndërhyrjen në disa zona. Ai tha se janë në kontakt të vazhdueshëm me Agjencinë për Emergjenca, prej të cilëve kanë kërkuar edhe disa kamionë për hedhjen e ujit. Megjithatë, ai tha se që nga mëngjesi i sotëm zjarri ka filluar të lokalizohet.

Ndërkohë, në vend ngjarje janë duke punuar vazhdimisht zjarrfikësit dhe disa pjesëtarë të FSK-së. Gjeneral lejtnant Kadri Kastrati, tha se Forca e Sigurisë së Kosovës është duke dhënë kontributin e saj, por gjendja atje është e rëndë.  “Situata është shumë e rëndë, mirëpo ne si FSK jemi duke dhënë kontributin tonë në njerëz, teknikë, në automjete zjarrfikëse, aq sa kemi mundësi. Jemi të gatshëm që të mobilizojmë edhe forca shtesë nëse kërkohet nga ne dhe Qeveria e Kosovës.”

Komuna e Deçanit ka vlerësuar gjendjen për zonat e prekura nga zjarri dhe ka marrë vendim që të mos shpallin gjendjen emergjente, por të jenë te mobilizuar. Për momentin zjarre ka në disa pjesë të bjeshkëve të Komunës së Deçanit. Zonat më shumë të përfshira nga flakët janë: Kërrshi i Qelisë që lidhet me Bjeshkën e Strellcit dhe vendi i quajtur Zharre në rajonin e Vokshit. (LajmeShqip.com)