Lajme Shqip Saturday, 30 July 2011 16:22

Mitrovicë – Burime të portalit LajmeShqip.com mësojnë se forcat e KFOR-it në veri janë duke u mobilizuar përfundimisht për të vazhduar marshimin për zhbllokimin e rrugëve.

Ndërkohë, sipas mediave të huaja KFOR-it në veri i janë bashkuar edhe trupa zvicerane në parapërgatitje për t’i liruar rrugët në marshin e nisur nga Thaçi për pikat kufitare G1 dhe G31.

Rreth 15 ushtarë të kontigentit SWISSCOY po qëndrojnë në Veri, të shtunën dhe aty do të presin dritën e gjelbërt.

Burimet e njëjta flasin se ultimatumi ishte dhënë deri në orën 16:00 të ditës së sotme, porse ende nuk dihet se si do të vazhdohet.

Ndërkohë që një media e huaj ka dhënë detaje për operacionin e planifikuar.

Trupat zvicerane iu janë bashkëngjitur atyre të KFOR-it për të kryer detyrën speciale, pasi kanë përvojë më të madhe në punë civile dhe me makineri të rëndë për të pastruar rrugët e bllokuara.

Është formuar edhe ekipi paraprak i deminimeve që do të inspektojë barrikadat, nëse kanë eksploziv apo ndonjë element tjetër shpërthyes.

Tanket që do t’i përdorin trupat zvicerane do jenë të tipit “Piranha”, bagerë për tërheqje të rënda, si dhe një kamion me kran për bartje deri në 40 ton.

Barrikadat janë masive dhe duhet trajtim i veçantë për to. Në operacion do të marrin pjesë edhe helikopterë të KFOR-it, të tipit “Super Puma”.

Në ditët e kaluara, rreth 15 zviceranë, të ndarë në dy ekipe janë të futur në mesin e banorëve të Veriut për të siguruar informata të mjaftueshme. Gjithsej janë 21 ushtarë zviceranë të vendosur me mision të përhershëm në Veriun e Kosovës. (lsh/sda)